Punonjësit e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) kanë nisur sot grevën e përgjithshme, duke kërkuar pagesën e pagave, ndërkohë që situata ka nxitur reagime ndërkombëtare.
Ricardo Gutierrez, sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, ka shprehur solidaritet me stafin e RTK-së dhe ka kritikuar qeverinë e Kosovës për, siç thotë ai, “mostransferimin e qëllimshëm të fondeve.”
Në një reagim publik nga Brukseli, Gutiérrez tha se kryeministri Albin Kurti “ka konfirmuar se nuk ka ndërmend të transferojë fondet e nevojshme për RTK-në, njësoj siç kishte refuzuar të vepronte në muajin gusht”.
Ai pyet pse qeveria e kishte konsideruar të ligjshëm transferimin e mjeteve për paga në gusht, ndërkohë që tani e cilëson të paligjshëm.
“I bëj thirrje kryeministrit Kurti të ndalojë politizimin e mëtejmë të transmetuesit publik dhe të sigurojë menjëherë që pagat e RTK-së të paguhen. Askush nuk duhet të luajë me mirëqenien e 700 punonjësve dhe familjeve të tyre”, ka shkruar ai.
Ndërkaq në letrën e publikuar të cilën e ka pranuar nga kryeministri në detyrë Albin Kurti më 13 nëntor, Kurti thekson se Qeveria e Kosovës është e gatshme të transferojë menjëherë fondet e miratuara për RTK-në, por vetëm pasi të formohet komisioni parlamentar kompetent, i cili aktualisht është bllokuar për shkak të bojkotit të opozitës.
Në pjesën e letrës së tij, kryeministri në detyrë shkruan: “Qeveria është e gatshme dhe e vullnetshme të lehtësojë transferimin e fondeve të miratuara për RTK-në menjëherë sapo të formohet komisioni parlamentar kompetent dhe të jetë në gjendje të veprojë, në përputhje me ligjin. Deri atëherë, ne nuk mund të marrim ligjërisht vendimin që i takon në mënyrë të shprehur Komisionit të Kuvendit për Buxhet, Punë dhe Transfere”.
Ai shton se qeveria nuk mund të tejkalojë kompetencat e Kuvendit.
“Veprimi ndryshe do të cenonte modelin demokratik evropian të ndarjes së pushteteve që mbështet legjislacionin e Kosovës dhe funksionimin e transmetuesit publik”, thuhet në letrën e Kurtit.
Ndryshe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka mirëpritur publikimin e përgjigjes së kryeministrit në detyrë dhe njëkohësisht ka shprehur zhgënjimin për mungesën e vullnetit politik të Kurtit për të gjetur zgjidhje financiare për RTK-në.
“Ne mbështesim grevën e RTK-së dhe qëndrojmë në solidaritet të plotë me kolegët tanë në Transmetuesin Publik”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Çështja e financimit të RTK-së ka mbetur e bllokuar për shkak të mosfunksionalizimit të komisioneve parlamentare, të cilat thuhet se janë të vetmet që mund të autorizojnë transferimin e fondeve nga buxheti i shtetit. /Telegrafi
