Ambasadori i Misionit të Posaçëm në Vatikan, Vehbi Miftari, ka ngritur shqetësimin se Zyra e Kryeministrit nuk e ka ftuar e as nuk është koordinuar me Misionin që ai e udhëheq në lidhje me ngjarjen e mbajtur në Bazilikën Santa Maria in Aracoeli në Vatikan, ku mori pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ku interpretuan Kori i Operës dhe Filharmonia e Kosovës.
Miftari, para një muaji, ishte në Selinë e Shenjtë, ku ishte pritur në takim nga Ati i Shenjtë, Papa Leo XIV.
Ai fillimisht i ka reaguar Kurtit në postimin që ka bërë me rastin e kësaj pjesëmarrjeje në Vatikan.
“Kryeministër! Ishit në Vatikan? Po Misioni i Kosovës në Vatikan ishte aty, siç kërkon praktika diplomatike e sjellja shtetërore? E kishit vënë në dijeni? Kush u mor me organizimin nëse jo misioni juaj në shtetin e Vatikanit?”- i ka komentuar Miftari – Kurtit në Facebook, më 24.11.2025.
Kosova ka ambasadë në Romë, dhe Mision të Posaçëm diplomatik në Vatikan, aty ku gjendet Selia e Shenjtë.
Ambasadori Miftari tha për KALLXO.com se “Misioni i Kosovës në Vatikan nuk është njoftuar zyrtarisht për pjesëmarrjen e kryeministrit Kurti në koncertin e mbrëmshëm dhe as nuk i është kërkuar të koordinojë komunikimin me autoritetet shtetërore të Vatikanit, pavarësisht se kjo, jo vetëm është praktikë diplomatike, por është kusht ‘sine qua-non’ në funksionimin shtetëror të një vendi.”
Miftari ka përkujtuar se Misioni në Vatikan është autoriteti i vetëm legjitim e ligjor, i ngarkuar për të komunikuar me autoritetet e Vatikanit.
“Nuk i di arsyet e moskoordinimit me ne. Besoj se Zyra e Kryeministrit duhet të ketë një shpjegim, por, nga këndvështrimi diplomatik mund t’ju siguroj se është bërë dëm në raportet tona me Selinë e Shenjtë, ngase mospërfshirja e misionit mund të interpretohet nga qarqe të caktuara (përfshirë misionin e Serbisë në Vatikan dhe skeptikët e tjerë) si mohim i misionit të Kosovës nga vetë krerët e shtetit të Kosovës”- shpjegoi ai.
Ai tha për KALLXO.com se nuk ka qenë i pranishëm në ngjarje, ngase nuk ka marrë ftesë nga Zyra e Kryeministrit për të marrë pjesë.
“Konservator në bindje, i përmbahem fortësisht e kryeneçësisht traditës shqiptare, e cila thotë: në dasmë shkohet vetëm si i ftuar”- tha ai.
KALLXO.com ka dërguar pyetje në Zyrën e Kryeministrit në lidhje me këtë çështje, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.
Ngjarja ishte zhvilluar në Bazilikën Santa Maria in Aracoeli, ku Filharmonia dhe Kori i Operës së Kosovës interpretuan oratorion La tempesta sul lago të Kardinal Domenico Bartolucci, nën drejtimin e Maestro Jacopo Sipari di Pescasseroli.
“Është një nder i madh të jem këtu sonte, në një vend ku muzika e shenjtë ka formësuar jetën shpirtërore dhe artistike të botës për shekuj me radhë. Në Vatikan, përmes Korit të Kapelës Sistine dhe trashëgimisë së kompozitorëve si Palestrina, Allegri dhe Kardinal Domenico Bartolucci, muzika ka shërbyer prej kohësh si një formë lutjeje, përsiatjeje dhe përkushtimi”- ka shkruar Kurti në Facebook.
Në janar 2024, pak javë pas hapjes së misionit të posaçëm në Vatikan, Vehbi Miftari ishte emëruar ambasador nga presidentja Vjosa Osmani. Nga 1 shkurti 2024, ai nisi punën në shtetin që ende nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës./KALLXO.com