Sot, në qytetin e Gjirokastrës u hap ekspozita e përbashkët e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Prizren dhe asaj në Gjilan, e cila prezenton proceset profesionale të restaurimit, konservimit dhe dokumentimit të aseteve të trashëgimisë kulturore.
Përndryshe, ekspozita ofron një panoramë të qartë të punës shumëvjeçare të ekipeve të specializuara, duke prezantuar vlerësimin dhe analizën e monumenteve, teknikat konservuese, rëndësinë e dokumentimit profesional dhe qasjet që sigurojnë ruajtjen afatgjatë të trashëgimisë kulturore.
“Kjo ekspozitë është dëshmi e punës së përkushtuar, e profesionalizmit dhe e përgjegjësisë sonë të përbashkët për mbrojtjen e trashëgimisë. Bashkëpunimi ynë me kolegët në Gjirokastër është shembull i qasjes institucionale që synon ruajtjen e vlerave dhe forcimin e lidhjeve kulturore ndërmjet nesh”, ka thënë në hapje, drejtori i QRTK në Prizren, Samir Hoxha.
“Është kënaqësi të mirëpresim kolegët nga Kosova dhe të ndajmë rezultatet e punës sonë të përbashkët. Kjo ekspozitë reflekton jo vetëm ndërhyrjet profesionale, por edhe besimin tek një vizion i përbashkët për trashëgiminë”, ka theksuar me këtë rast Ardis Duka, drejtor i DRTK Gjirokastër.
“Hapësira mbetet e qasshme për vizitorët dhe synon informimin, ndërgjegjësimin dhe forcimin e vlerësimit për këtë pasuri të përbashkët kulturore”, thuhet tutje në njoftimin e QRTK Prizren.
