Me autorizim të ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka marrë pjesë sot në procesin e shkatërrimit të substancave narkotike, të konfiskuara dhe të sekuestruara në raste të ndryshme penale.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, në një komunikatë për media, bën të ditur se shkatërrimi është kryer nga komisioni kompetent, në përbërje të të cilit kanë qenë përfaqësues nga Prokuroria, Gjykata dhe Policia e Kosovës, në përputhje me procedurat standarde të veprimit.
Sipas njoftimit, gjatë këtij procesi janë shkatërruar këto sasi të substancave narkotike dhe sendeve të ndërlidhura:
- Marihuanë: 347 kg e 804.79 gram
- Kokainë: 886.89 gram
- Heroinë: 7 kg e 788.7 gram
- Bimë kanabis: 8 copë
- Fara kanabisi: 100 kg + 37.7 gram
- Kërpudha narkotike: 155.7 gram
- Monedha të letrës: 160 euro
- Valixhe (çantë): 3 copë
Siç bëhet e ditur në njoftim, procesi i shkatërrimit është realizuar në një ambient të licencuar, duke respektuar standardet ligjore dhe praktikat e sigurisë.
Ky aktivitet është mbështetur nga Home Affairs Programme of the European Union in Kosovo (HAPE), i financuar nga Bashkimi Evropian.
Prokuroria e Shtetit thekson se mbetet e përkushtuar në luftimin e të gjitha formave të kriminalitetit dhe në mbrojtjen e sigurisë publike.