Një protestë dot të mbahet të sot në Strasburg, ku mijëra qytetarë do të ngrejnë zërin kundër procesit gjyqësor që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Organizatorët tashmë kanë përfunduar të gjitha përgatitjet, ndërsa pjesëmarrja e diasporës pritet të jetë e madhe.
Nga ora 13:00, në Strasburg sot do të mbahet një protestë kundër procesit gjyqësor që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar se në protestë pritet të marrin pjesë rreth 6 mijë qytetarë, ndërsa të gjitha përgatitjet tashmë janë finalizuar.
“Jemi të gatshëm për fillimin e protestës në orën 13:00, sepse janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme. Në protestë pritet të marrin pjesë shumë njerëz nga mërgata jonë”, tha Gazmend Syla nga OVL-UÇK.
Për këtë organizim janë përgatitur edhe 285 letra, të cilat do t’u dërgohen secilit anëtari të Asamblesë së Këshillit të Evropës.
“Këto letra përmbajnë shqetësimet tona, të cilat i kemi theksuar prej kohësh, lidhur me padrejtësitë që po u bëhen krerëve të UÇK-së. Besojmë se me këto protesta, në Prishtinë, Tiranë dhe tani në Strasburg, kemi arritur ta ngremë zërin e popullit dhe t’i dërgojmë kësaj gjykate mesazhin tonë: ‘Jo në emrin tim’”, shtoi Syla.
Njohës të procesit gjyqësor në Hagë vlerësojnë se, nëse Gjykata Speciale mbështetet vetëm në provat e paraqitura, ish-krerët e UÇK-së pritet të lirohen.
Protesta po zhvillohet në kohën kur procesi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit po hyn në fazën përfundimtare.
