Komisioni Evropian po synon vendosjen e taksave në nivel të BE-së për ushqimet ultra të përpunuara dhe pijet e ëmbla me alkool (“alcopops”) deri në vitin 2026, sipas draftit të parë të Planit për Shëndetin Kardiovaskular, të siguruar nga Euractiv.
Në dhjetor, Komisioni pritet të prezantojë planin e parë të dedikuar për trajtimin e barrës më të madhe shëndetësore në BE – sëmundjeve kardiovaskulare. Drafti tregon se plani i Komisionerit për Shëndetësinë, Olivér Várhelyi, bazohet në tre shtylla kryesore: parandalim, zbulim i hershëm dhe skrining, si dhe trajtim dhe kujdes.
Ky plan vjen pas Planit Evropian për Luftimin e Kancerit dhe do të prezantohet bashkë me Aktin e ri të Bioteknologjisë dhe rishikimin e rregullave për pajisjet mjekësore.
Fokus te parandalimi
Drafti thekson se BE-ja nuk ka ndërmarrë veprime të mjaftueshme për të parandaluar faktorët kryesorë të rrezikut – alkoolin, duhanin, produktet e reja të nikotinës dhe ushqimet shumë të përpunuara – megjithëse parandalimi vlerësohet si mjeti më kosto-efektiv në luftën kundër sëmundjeve të zemrës.
Sipas dokumentit, Komisioni synon që në vitin 2026 të vendosë takse të përbashkët për produktet me shumë yndyrë, sheqer dhe kripë, si dhe për pijet e gazuara të ëmbla që përmbajnë alkool.
Paralelisht, po shqyrtohet edhe rishikimi i rregullave të kontrollit të duhanit deri në vitin 2027, me objektivin që përdorimi i duhanit tek të rriturit të ulet nën 5% deri në vitin 2040.
Plani parasheh gjithashtu masa për rritjen e mbulimit të vaksinimit dhe uljen e pabarazive në shëndetin e grave.
Objektivat kryesore deri në vitin 2035
Ulje me 20% të vdekshmërisë nga sëmundjet kardiovaskulare
70% normë diagnostikimi dhe kontrolli për hipertensionin
80% normë diagnostikimi dhe kontrolli për diabetin dhe obezitetin
Për realizimin e këtyre objektivave, Komisioni do të lansojë projektin “BE kujdeset për zemrën tënde”, që do të mbështesë zhvillimin e planeve kombëtare për sëmundjet e zemrës deri në vitin 2027.
Dokumenti përmend gjithashtu rritjen e përdorimit të sistemeve të bazuara në inteligjencë artificiale dhe të dhëna, përmirësimin e zakoneve ushqimore dhe nisjen e një studimi të ri për ushqimet shumë të përpunuara.
Skrining dhe inovacion
Në vitin 2026, Komisioni do të propozojë rekomandime të reja për përmirësimin e kontrolleve shëndetësore për sëmundjet kardiovaskulare, duke vendosur objektiva të posaçme për skriningun.
Ashtu si në planin për kancerin, pritet të krijohet edhe një rrjet i qendrave të specializuara për shëndetin e zemrës në vendet e BE-së. Po ashtu, Komisioni do të krijojë një fond prej 20 milionë eurosh për përdorimin eksperimental të IA-së dhe mjeteve të tjera digjitale në zbulimin e hershëm dhe mjekësinë e personalizuar.
Sa i përket kërkimit shkencor, do të nisë një “Hartë Rrugore” të re për inovacionin në sëmundjet kardiovaskulare, me 2 milionë euro të dedikuara për kërkime, 65 milionë për shërbime shëndetësore inovative dhe 12 milionë për dieta të shëndetshme dhe të qëndrueshme. (Burimi: Euractiv).
