Zëvendëskomandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjeneral major Enver Cikaqi, mori pjesë në një takim të organizuar nga e dërguara speciale e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce, me pjesëmarrjen e udhëheqësve ushtarakë nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina.
Sipas FSK-së, takimi u zhvillua në një anije të Forcave Detare Britanike, ku u diskutua rëndësia e bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe roli i iniciativave të përbashkëta për përballimin e sfidave të sigurisë në rajon.
Në qendër të diskutimeve ishte situata aktuale e sigurisë në Evropë, me theks të veçantë te efektet e agresionit rus në Ukrainë, si dhe nevoja për koordinim ndërmjet vendeve të rajonit në përballimin e emergjencave dhe ofrimin e mbështetjes ushtarake ndaj autoriteteve civile.
Në përmbyllje të takimit, pjesëmarrësit theksuan se mbështetja britanike dhe angazhimi konkret në kuadër të iniciativave rajonale janë thelbësore për ndërtimin e një Ballkani më të sigurt dhe më stabil./teve1.info/
