Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka shprehur ngushëllime presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe të gjithë popullit turk, pas rrëzimit të një avioni ushtarak.
Përmes një postimi në “X”, Osmani shkroi: “Ngushëllimet tona të thella për Presidentin Erdogan, Forcat e Armatosura Turke dhe popullin e Turqisë pas rrëzimit tragjik të një avioni ushtarak. Kosova qëndron në solidaritet me aleatin tonë Turqinë në këtë kohë të vështirë”.
Kujtojmë se një aeroplan ushtarak turk C-130, me të paktën 20 persona në bord, u rrëzua në Gjeorgji të martën, pasi u ngrit nga Azerbajxhani.
Numri i viktimave dhe shkaku i incidentit nuk u bënë menjëherë të qarta, shkruan Reuters.
Videoja fillestare nga vendi i ngjarjes pranë kufirit me Azerbajxhanin tregonte copa metali të përdredhura, me pjesë të trupit të avionit ende në flakë dhe tym të errët që ngrihej në qiell.
