Sot, me rastin e shënimit të Ditës së Veteranëve të SHBA-së, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, ka shprehur mirënjohje për të gjithë burrat dhe gratë që kanë shërbyer në Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas një komunikate për media, bëhet e ditur se “me një falënderim të veçantë për kontributin historik të tyre gjatë intervenimit të vitit 1999, që solli fundin e luftës në Kosovë dhe hapi rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë sonë, kryetari Basha tha se po aq e çmuar mbetet edhe prania e vazhdueshme e forcave amerikane në kuadër të KFOR-it, të cilat vazhdojnë të luajnë rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në vendin tonë”.
“Në këtë ditë nderimi, u shprehim respektin dhe mirënjohjen institucionale të gjithë veteranëve amerikanë për përkushtimin e tyre ndaj paqes dhe demokracisë. Faleminderit për shërbimin tuaj”, ka thënë në shënimin e tij kryetari Dimal Basha.
