Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës (PK), kolonel Gazmend Hoxha, i shoqëruar nga drejtori i Departamentit të Hetimeve, Agron Nezaj, drejtori i Departamentit të Njësive Speciale, Mentor Shabani, dhe drejtori i Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor, Arben Paçarizi, realizuan një vizitë dy-ditore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Republikës së Kroacisë.
Policia e Kosovës njofton se vizita filloi me një takim bilateral të realizuar ndërmjet drejtorit Hoxha dhe drejtorit gjeneral të Policisë Kroate, Nikola Milina, për të vazhduar pastaj me një sërë takimesh të përbashkëta, si me zëvendësdrejtorin e Policisë së Kroacisë, Damir Bariç, dhe drejtorët e departamenteve e drejtorive të të dy policive.
Siçbën të ditur Policia, gjatë takimeve të përbashkëta u diskutuan tema të rëndësishme në fushën e rendit dhe sigurisë publike, në fushën e hetimit dhe luftimit të krimit të organizuar dhe terrorizmit, luftimit të krimit transkufitar dhe migrimit të paligjshëm, si dhe në fushën e krimeve të luftës, krimeve kibernetike dhe bashkëpunimit ndërkombëtar — diskutime këto që synojnë rritjen e bashkëpunimit dhe avancimin e mëtejmë ndërinstitucional, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, delegacioni kosovar, përveç vizitës në Drejtorinë e Përgjithshme, vizitoi edhe Komandën e Ndërhyrjes, ku nga afër u njoftua mbi punën dhe aktivitetet policore që realizohen në këtë qendër, përfshirë prezantimin dhe demonstrimin e pajisjeve teknologjike si dronët, antidronët dhe pajisjet e tjera të njësive speciale.
“Vizita dhe takimet e suksesshme rikonfirmuan bashkëpunimin e përhershëm dhe profesional mes dy organizatave policore, bashkëpunim ky i cili ndikon në lehtësimin e shkëmbimit të informacioneve, realizimin e trajnimeve të avancuara dhe profesionale, si dhe shkëmbimin e përvojave policore në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zbatimit të ligjit. Krerët e dy policive u zotuan se do të vazhdojnë bashkëpunimin e ndërsjellë, zbatimin e memorandumeve të mirëkuptimit, si dhe përkrahjen dhe mbështetjen drejt anëtarësimit të PK-së në organizatat ndërkombëtare ligjzbatuese”, njofton Policia e Kosovës.
