Policia e Kosovës ka njoftuar edhe zyrtarisht se ka arrestuar një person të dyshuar për vrasjen e dy vëllezërve në fshatin Gollubovc të Malishevës, ngjarje e ndodhur një ditë më parë.
Sipas njoftimit zyrtar, rasti është raportuar më 06 nëntor 2025, rreth orës 11:30, kur njësitë policore janë informuar për një vrasje me armë zjarri në fshatin Gollubovc, ku viktimat ishin dy meshkuj të moshës madhore, vëllezër.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e nevojshme policore, të cilat gjatë ekzaminimit kanë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri që dyshohet të jenë përdorur në rast. Hetimet janë zhvilluar në koordinim me Prokurorin e Shtetit, me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave dhe identifikimit të autorit.
Policia ka bërë të ditur se sot, më 07 nëntor 2025, rreth orës 06:25, në fshatin Pllaqicë, është arrestuar i dyshuari A.I. (1983), mashkull kosovar. Pas arrestimit, të dyshuarit i është ofruar trajtim mjekësor, pasi kishte plagë që dyshohet të jenë shkaktuar nga arma e zjarrit. Ai është dërguar për trajtim të mëtejmë mjekësor.
Hetimet për rastin janë ende në zhvillim dhe po udhëhiqen në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit.
