Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka intervistuar një person lidhur me plagosjen dhe rrëmbimin e serbit Millan Vukashinoviq, e cila sipas Policisë së Kosovës dyshohet se u bë më 1 nëntor nga xhandarmëria serbe në Leposaviq. “Mund të konfirmojë se një person i afërm me viktimën është intervistuar nga Prokuroria për këtë rast dhe se Prokuroria në bashkëpunim me policinë po heton rastin”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni. Ndërsa avokati serb Ivan Niniq ka njoftuar se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Serbe dhe grupit të Millan Radojçiqit, për këtë rast.
Niniq përmes një statusi në rrjetet sociale ka thënë se në emër të nënës së Vukasinoviqit ka ushtruar padinë. Sipas tij për viktimën nuk dihet asgjë që nga 1 nëntori.
“Për shkak se për pesë ditë askush nuk ka dhënë asnjë njoftim zyrtar lidhur me qëllimin me armë ndaj Milan Millan Vukashinoviqit, unë, në emër të nënës së tij, kam dorëzuar kallëzim penal te Prokurori i Lartë Publik në Prokuplje, për veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë, kundër personave të panjohur — pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë, policisë ose grupit të Milan R.”, ka shkruar Niniq në platformën “X”.
Sipas Policisë Millan Vukashinoviq shtetas i Kosovës i nacionalitetit serb dyshohet të jetë rrëmbyer në zonën e quajtur “pika zero”, në afërsi të Leposaviqit, në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Për këtë rast, Policia e Kosovës ka njoftuar KFOR-in, si përgjegjës për sigurinë në brezin kufitar./KOHA
