Policia e Kosovës ka njoftuar se dy vëllezër janë vrarë të enjten nga dhëndri i tyre në fshatin Golluboc të Malishevës.
Siç ka thënë Policia, i dyshuari është nga një fshat i Drenasit. Ai është identifikuar, por ende s’është arrestuar.
Në raportin e Policisë thuhet se dy vëllezërit rreth orës 11:30 u dërguan në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kijevë, ku më pas mjekët konstatuan vdekjen e tyre.
“Rreth orës 11:30, jemi njoftuar se dy persona të gjinisë mashkullore, të moshës madhore (vllezër), janë dërguar në QMF-në e Kijevës si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit në fshatin Golluboc të Malishevës. Personeli mjekësor në QMF ka konstatuar vdekjen e viktimave. Njësitë e nevojshme policore i janë përgjigjur menjëherë rastit dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftim.
Policia bën të ditur se lidhur me rastin, deri më tani është identifikuar një person i dyshuar, gjithashtu mashkull i moshës madhore. Në koordinim me prokurorin e shtetit, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin dhe arrestimin e të dyshuarit.
