Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të Kryesisë, ku është diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend dhe rezultatin e arritur në raundin e parë të zgjedhjeve lokale.
Në njoftimin pas mbledhjes, PDK ka theksuar se dhënia e mandatit sërish Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e qeverisë përbën “humbje kohe dhe thellim të krizës institucionale”, pasi, siç thuhet, “askush nuk e ka shumicën për ta formuar qeverinë nga kjo legjislaturë”.
“PDK nuk do të japë votë për asnjë mandatar nga LVV, dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme është zgjidhja e vetme për tejkalimin e këtij ngërçi, duke u kthyer qytetarëve të Kosovës të drejtën për të vendosur drejtimin e ardhshëm të vendit”, thuhet në komunikatë.
Sipas partisë, kriza e zgjatur politike, e shkaktuar nga Lëvizja Vetëvendosje, ka dëmtuar çdo sektor dhe ka rrezikuar vonesat në miratimin e buxhetit të shtetit, gjë që sipas PDK-së mund të ndikojë drejtpërdrejt në pagat e qytetarëve në fillim të vitit të ardhshëm.
Gjatë mbledhjes, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është shprehur mirënjohës për angazhimin e anëtarëve dhe përkrahësve të partisë në zgjedhjet lokale, duke theksuar se PDK është rikthyer si partia më e votuar pas 12 vjetësh me 187.526 vota dhe 206 ulëse në Kuvendet Komunale.
Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, PDK ka fituar në Ferizaj, Skënderaj dhe Han të Elezit, ndërsa është në garë për balotazhin e 9 nëntorit në Mitrovicë, Prizren, Vushtrri, Kaçanik, Klinë dhe Dragash.
Krasniqi u bëri thirrje strukturave të partisë që të vazhdojnë mobilizimin maksimal për fitore në këto komuna.
