Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar disa vendime në kuadër të përgatitjeve për rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash që do të mbahet më 9 nëntor.
Ndër çështjet kryesore të trajtuara në mbledhje ishte procesi i akreditimit të vëzhguesve nga partitë politike, organizatat vendore e ndërkombëtare dhe mediat, të cilët do ta monitorojnë procesin zgjedhor.
KQZ-ja ka miratuar akreditimin e 8,049 vëzhguesve nga shtatë partitë e certifikuara që marrin pjesë në balotazh.
Gjithashtu, Komisioni miratoi akreditimin e vëzhguesve nga organizatat joqeveritare dhe përfaqësitë diplomatike, të cilët do të kenë mandat për të vëzhguar rrjedhën e procesit gjatë ditës së zgjedhjeve.
Gjatë mbledhjes, anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ngriti një shqetësim në lidhje me vonesat e fletëvotimeve që po raportohen nga disa qytetarë të Kosovës që jetojnë në vendet skandinave, kryesisht në Norvegji.
“Ka shumë persona, sidomos në Norvegji, që nuk e kanë marrë postën me kohë. Dua ta ngrit si çështje, sepse është shqetësim i disa qytetarëve që ende nuk u ka arritur zarfi me fletëvotim. Afati është deri nesër apo pasnesër dhe nuk kanë mundur të votojnë. A ekziston mundësia që të shtyhet ky afat?”, ka thënë Kurteshi, raportoi EO.
Në lidhje me këtë çështje, anëtari tjetër i KQZ-së nga LVV-ja, Alban Krasniqi, u bashkua me shqetësimin, duke kërkuar një raport të detajuar për situatën dhe mundësinë e shtyrjes së afatit për pranimin e fletëvotimeve në rastet ku ka pasur vonesa të postës.
