Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke theksuar se Kosova nuk mund të ketë një qeveri të pakicës dhe se çdo qeveri legjitime duhet të përfaqësojë shumicën qytetare.
“Nuk po zgjedhim drejtor të Teatrit Kombëtar. Në parlament përcaktohet legjitimiteti qytetarë. Vota jote dhe e kolegëve të tu, kjo votë ka kuptim jo kur votohet pakica, jo kur dy veta në Kosovë vendosin për fatin tënd, por kur shumica vendosin për fatin tonë. Një shumicë duhet të përfaqësojë votën e lirë të popullit të Kosovës. LDK është parti demokratike. Me gjithë spekulimet e fundit që ka deputetë që shkojnë andej e këndej, më besoni që as nuk kemi kërcënuar askënd, kanë qenë jashtëzakonisht të lirë të vendosin si deputetë karshi votës që ata kanë”, tha Abdixhiku.
I pari i LDK-së tha se: “Unë besoj që do të marrim vendim edhe për seancën e ardhshme kurdo që thirret nëse thirret. Dëshira jonë është që të mos humbim kohë, pra të jemi të sinqertë”.
Ai komentoi edhe qëndrimet e partive të tjera politike, duke përmendur se: “Konjufca është pjesë e një gjenerate të re politike” dhe se është më e mençur që vendi të përdorë 15 ditë për të vendosur për buxhetin e Kosovës sesa t’i harxhojë ato në përplasje politike.
“Glauk Konjufca është gjenerata e re politike… dhe kjo na sjellë edhe tek çështja e buxhetit. Për çdo ditë që partia e tij, sekti i tij vonojnë në kohë më pak bëhet e zgjidhshme çështja e buxhetit. Nuk e di se si zgjidhet çështja e buxhetit nëse i harxhojmë 15 ditë kohë. A është më mirë t’i kemi 15 ditë kohë që të zgjidhim buxhetin dhe qeverinë e re që është shumicë që është populli i Kosovës që vendos se si ndahen paratë, lirë, pastër pa afera korruptive, pa skemën kriminale që e ka sot, pa tendencë e bllokadave…Çështja është se si i zgjidhin 15 ditë çështjen e buxhetit. Nëse të gjitha partitë politike janë deklaruar deri më tani se nuk ka shumicë, konkluzioni logjikë, e një parti që thotë që e donë popullin e Kosovës thotë ‘nuk do ta humbi asnjë ditë më’ – ‘mjaft i kemi humb 8 muaj’”.
Po ashtu Abdixhiku njoftoi gjithashtu se i ka shprehur presidentes gatishmërinë për të shkuar me zgjatje të buxhetit për muajt e ardhshëm.
“Sa i përket zgjedhjeve parlamentare, në takim me presidenten dje i kam shprehur gatishmërinë e analizës së vazhdimit të buxhetit paraprakë. Pra nëse ka dakordim politik me të gjitha partitë politike që po shkojmë në zgjedhje, meqë po shkojmë në zgjedhje po na u dashka me iu shmang një skenari bukur të errët, pasi skenari nuk është i garantuar. Nuk mund të themi që ka qeveri menjëherë, apo shumicë menjëherë, pra mund të konsiderojmë zgjidhje për zgjatim të buxhetit të vitit të kaluar. Ia kam shpreh këtë gatishmëri dhe jam në kontakt edhe me partitë tjera politike në Kosovës për të diskutuar për këtë”, ka thënë ai.
I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse edhe pas zgjedhjeve të ardhshme përsëriten vonesat dhe mospajtimet aktuale, ai u shpreh: “Si besimtarë që jemi, vdekjen e kemi më të afërt se këmishën. Edhe po të ketë skenarë të errët, prapë shkojmë në zgjedhje. Në demokraci vendos shumica. Mos e mendoni më të keqen – Kosova ka njerëz të mirë, politikë të mbarë”. /Telegrafi/
