Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar drejtësi për udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë tash e pesë vjet.
Në një postim në Facebook, ai ka thënë se procesi po vazhdon të zvarritet.
“Pesë vjet më parë, u ndaluan padrejtësisht katër nga udhëheqësit kryesorë të luftës çlirimtare: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Pesë vjet më vonë, procesi po vazhdon të zvarritet, padrejtësia të rritet ndërsa e vërteta që ne e njohim dhe e dimë, ende s’e ka marrë verdiktin që e meriton. Ata shkuan në Hagë me kokën lart, pa u fshehur, pa u ankuar, pa kërkuar privilegje. Shkuan si burrështetas, si ushtarë të lirisë, me besim në drejtësi, me dinjitetin që ua dha historia dhe me dashurinë që ia dhanë Kosovës”, ka shkruar ai.
Sipas Krasniqit, historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet në asnjë gjykatë.
“Ajo është shkruar me gjak, me sakrificë dhe me qëndresën e një populli që nuk u përkul kurrë. Për 1826 ditë, ata dhe familjet e tyre kanë përballuar vuajtjen me qetësi, me durim e me besim. Për hir të së vërtetës dhe të drejtësisë. Sot, pesë vjet më vonë, me mirënjohje, mall e krenari, Kosova kërkon asgjë më pak se atë që u takon bijve të saj: Drejtësi, të vërtetën dhe liri për çlirimtarët”, ka shkruar ai.
