Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas mbledhjes së Lëvizjes Vetëvendosje ku propozoi Glauk Konjufcën mandatar të ri për Qeveri, ka thënë se kjo shfaqja teatrale dhe e mandatarëve pa numra, duhet të marrë fund.
“Kjo shfaqje teatrale, e mandatarëve pa numra, pa shumicë e pa legjitimitet demokratik, duhet të marrë fund. Republika nuk është material loje për llogaritje të vogla elektorale. Republika mbetet më e madhe se secili prej nesh. Trajtojeni si të tillë. Shiqoni qytetarët në sy e tregojuni se nuk ka shumicë. Tregojuni qytetarëve se secila parti shqiptare, ka dhënë verdiktin politik, të deponuar tashmë në Presidencë. Ky verdikt është i qartë e është i thejshtë. Sot, matematikisht, me vullnetin e deklaruar politik, nuk ka mundësi për shumicë”, shkroi Abdixhiku në Facebook.
Tutje, Abdixhiku shkroi se dëshiron të besojë që “presidentja e Republikës, do të respektojë vullnetin e shumicës shqiptare, para mbledhjeve propaganduese të partive me mandatarë plot por pa shumicë paralamentare”.
“Këto zvarritje janë veç thellime të krizave, për të cilat do të mbahet përgjegjësi politike. Dua të besoj se Presidentja e Republikës, do të respektojë vullnetin e shumicës shqiptare, para mbledhjeve propaganduese të partive me mandatarë plot por pa shumicë paralamentare. Ky vullnet i është deponuar Presidentes javën që shkoj, haptazi dhe qartë. Dua të besoj, se Presidentja do të deklarojë gjënë më të thjeshtë e më logjike sot: fatkeqësisht, në këtë Kuvend, nuk ka shumicë parlamentare dhe asnjë mbledhje e asnjë partie nuk ndryshon këtë fakt politik”, shton Abdixhiku.
