Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në rrugën “Ibrahim Rugova” në Prizren, nën dyshimin për përfshirje në veprimtari të paligjshme me substanca narkotike.
Sipas raportit të policisë, gjatë kontrollit tek të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar 51.57 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, një peshore digjitale, 180 qese plastike të zbrazëta që shërbenin për paketimin e narkotikëve, para të gatshme dhe dy celularë.
Po ashtu, si pjesë e provave materiale është konfiskuar edhe një veturë me targa vendi, e cila dyshohet se është përdorur për transportimin e substancave të ndaluara.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për procedura të mëtejshme hetimore.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e narkotikëve dhe parandalimin e shpërndarjes së tyre nëpër qytete.
