Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prizrenit, Artan Abrashi, ka vënë në qendër të debatit çështjet e menaxhimit të ujësjellësit, transparencës dhe investimeve komunale, gjatë përballjes së tij me kryetarin aktual Shaqir Totaj në emisionin “Pressing” në T7.
Në këtë debat të zhvilluar dy javë para balotazhit, Abrashi e akuzoi Totajn se nuk ka siguruar bashkëpunim me ndërmarrjen publike të ujësjellësit dhe se qytetarët e Prizrenit po përballen me mungesë të ujit në shumë lagje.
“Komuna ndodhet në një situatë ku furnizimi me ujë është bërë problem serioz. Ligji ju obligon që të jeni në koordinim me ndërmarrjen publike për investimet në rrjetin e ujësjellësit – kjo nuk ka ndodhur,” deklaroi Abrashi, duke shtuar se “mungesa e planifikimit dhe transparencës ka dëmtuar drejtpërdrejt jetën e qytetarëve”.
Abrashi: Jam i hapur për bashkëpunim, nuk kam vija të kuqe
Gjatë debatit, kandidati i VV-së tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me të gjitha subjektet politike pas zgjedhjeve, duke theksuar se “interesi i qytetarëve është mbi interesat partiake”.
“Kam bërë ftesë publike për bashkëpunim, nuk kam vija të kuqe. Prizreni ka nevojë për bashkëpunim institucional, jo për përçarje politike,” u shpreh Abrashi.
Ai shtoi se fushata e tij është përqendruar në çështje konkrete që prekin përditshmërinë e qytetarëve, si menaxhimi i pastrimit, infrastruktura, uji dhe zhvillimi ekonomik lokal.
Përplasje e ashpër me Totajn: “S’ka nevojë të flasë për kulturë”
Debati mes dy kandidatëve u ashpërsua në një moment kur Abrashi e akuzoi Totajn për shpenzime të panevojshme dhe mungesë të standardeve të llogaridhënies në administratën komunale.
“E ke kritiku ish-kryetarin Haskuka për një ulëse 900 euro, ndërkohë vetë ke blerë një ulëse 1.700 euro. Ti ke mbajtur edhe konferencë për këtë,” tha Abrashi, duke e akuzuar kundërshtarin për standarde të dyfishta në menaxhimin e buxhetit.
Totaj reagoi duke i thënë Abrashit se “nuk ka kulturë minimale për debat”, ndërsa kandidati i VV-së iu përgjigj: “Tash je në ballafaqim me idenë, s’ka nevojë të flasësh për kulturë.”
Në fund të përplasjes, Totaj theksoi se të gjitha procedurat e prokurimit janë zhvilluar në përputhje me ligjin dhe e ftoi Abrashin që, nëse ka prova për parregullsi, t’i drejtohet organeve kompetente.
