“Me bojkotin e seancës tregoi fytyrën e saj të vërtetë”
Kryetari i Partisë Demokratike të Boshnjakëve dhe i Koalicionit “Vakat”, njëherësh deputet në Kuvendin e Kosovës, Rasim Demiri, ka reaguar ashpër ndaj deputetes Duda Balje, duke e akuzuar se ka vënë interesat e saj personale mbi interesat e bashkësisë boshnjake dhe procesin për formimin e komunës së Reçanit.
Në një deklaratë për media, Demiri tha se Balje “tregoi fytyrën e saj të vërtetë” në momentin kur u njoftua se ai ishte propozuar për ministër të Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e re “Kurti 3”.
“Derisa deri të premten, më 24 tetor, ajo deklaronte se askush nuk e kishte kontaktuar për formimin e qeverisë, në momentin që u njoftua për emërimin tim si ministër, ajo jo vetëm që refuzoi të votojë, por as nuk u paraqit në seancën e Kuvendit”, deklaroi Demiri.
Sipas tij, bojkotimi i seancës nga Duda Balje nuk kishte të bënte me “kushte për komunën Reçan”, siç pretendon ajo, por ekskluzivisht me kundërshtimin ndaj emërimit të tij si ministër.
“Problemi për të nuk është Albin Kurti – problemi është Rasim Demiri”, shtoi ai.
“Bojkoti i Baljes pengoi fillimin e procesit për komunën Reçan”
Demiri theksoi se për herë të parë bashkësia boshnjake kishte pasur një mundësi konkrete për të nisur procesin ligjor të formimit të komunës së Reçanit, përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
“Me emërimin tim, ky proces mund të fillonte menjëherë. Bojkoti i saj ishte përpjekje për ta penguar këtë, vetëm sepse nisma do të vinte nga një ministër boshnjak,” u shpreh ai.
Deputeti boshnjak hodhi poshtë pretendimet e Duda Baljes se kryeministri Albin Kurti është kundër formimit të komunave të reja, duke theksuar se asnjë nga kryeministrat e mëparshëm – Thaçi, Mustafa, Haradinaj apo Hoti – nuk ka kundërshtuar ndonjëherë komunën Reçan.
“As komuniteti shumicë shqiptar nuk ka pasur problem me kërkesën e Koalicionit Vakat për komunën Reçan. Është një gënjeshtër absolute që Kurti apo ndonjë tjetër ka qenë kundër,” theksoi Demiri.
Sipas tij, Koalicioni Vakat ka qenë i vetmi subjekt që ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën për formimin e komunës Reçan në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, ndërsa Duda Balje “vetëm ka dhënë deklarata populiste përpara kamerave”.
