Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se sot ka filluar periudha e votimit jashtë Kosovës për votim me postë në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave.
Kjo periudhë e votimit (27 tetor – 8 nëntor 2025) do të vlejë vetëm për 29,712 shtetasit e Republikës së Kosovës që janë regjistruar me sukses si votues jashtë vendit gjatë afatit të përcaktuar për regjistrim (23 korrik – 29 gusht 2025).
Këta votues i takojnë komunave, të cilat, sipas rezultateve ende të pacertifikuara, janë pjesë e raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave, si: Gjakovë (3,141), Gjilan (2,066), Dragash (2,770), Kaçanik (1,149), Klinë (2,230), Fushë Kosovë (489), Mitrovicë e Jugut (1,188), Obiliq (220), Rahovec (1,902), Pejë (1,895), Prishtinë (1,727), Prizren (2,870), Suharekë (3,325), Viti (1,970), Vushtrri (1,019), Junik (1,363), Mamushë (356) dhe Kllokot (49).
KQZ-ja ka nisur procesin e votimit jashtë vendit para certifikimit të rezultateve për të shmangur vonesat në procesin zgjedhor dhe për të siguruar që çdo qytetar i regjistruar të ketë mundësinë të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese për të votuar në kohë.
Në përputhje me detyrimet e përcaktuara në Rregulloren zgjedhore Nr. 04/2025 për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, sipas të cilave KQZ-ja do të sigurohet që shtetasve të Kosovës të regjistruar për votim me postë t’ua dërgojë përmes postës pakon me fletëvotime, KQZ-ja ka përgatitur pakot për secilin votues të regjistruar, e cila përmban fletëvotimin e zgjedhjeve për kryetar të komunës.
Zarfi i cili do t’i dërgohet votuesit, përmban: fletëvotimin; zarfin e fshehtësisë; udhëzuesin me informacione se si plotësohen fletëvotimet dhe si realizohet votimi përmes postës; zarfin kthyes dhe shiritin mbyllës.
Në votimin jashtë Kosovës për votim me postë, detyrë e votuesit është që pakon me fletëvotim ta dërgojë në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së. Në shumicën e këtyre zarfeve, KQZ-ja ka shënuar paraprakisht adresën e kutisë postare në shtetin përkatës të votuesit të regjistruar. Në rastet kur adresa nuk është shënuar nga KQZ-ja, votuesi duhet ta shënojë njërën nga adresat e kutive postare të KQZ-së.
KQZ-ja ka filluar procesin e dërgimit të pakove në disa shtete dhe shërbimet postare do ta përcjellin te votuesit e regjistruar në adresat e dhëna prej tyre gjatë procesit të regjistrimit.
Me qëllim të ofrimit të mundësisë për votim për shtetasit që janë regjistruar për të votuar përmes postës, kutitë postare janë funksionale në këto shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, SHBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.
