Ekipi i Auditimit Social në Komunën e Dragashit pas punës disamujore të monitorimit të katër projekteve që janë përfituar përmes Grantit të Performancës Komunale, ka hartuar një dokument me disa rekomandime për ekzekutivin e kësaj komune.
Përmes kësaj letre, ekipi i Auditimit Social ka kërkuar nga Komuna e Dragashit që të intervenojë në adresimin e këtyre gjetjeve dhe për përmirësimin e cilësisë së punimeve në projektet infrastrukturore që janë monitoruar nga ekipi.
Ekipi i Auditimit Social është një grup i qytetarëve që monitoron katër projekte në Dragash, “Ndërtimi i trotuarit Brodosan-Zaplluzhe dhe Brrut-Bellobrad”; “Kubëzimi i rrugëve në regjionin e Opojës”; “Ndërtimi i trotuarit Dragash-Ura e fshatit Shajne, Ndërtimi i trotuarit Dragash-fshati Kukajan, Ndërtimi i murit mbajtës te varrezat e qytetit, si dhe ndërtimi i ndriçimit në rrugën unazore në Dragash” dhe “Asfaltimi i rrugëve dhe kubëzimi i rrugëve në regjionin e Goresë në Dragash (fshatrat Restelicë dhe Radesh)”.
Në projektin e ndërtimit të trotuarit në Bellobrad-Brut, ekipi gjatë vizitës në terren identifikoi rreth 20 anësore të trotuarit të cilat janë të dëmtuara të çara. Ekipi ka rekomanduar që mos të pranohen teknikisht anësoret e dëmtuara që janë vendosur në trotuar.
“Kërkohet nga Komuna që të obligojë operatorin ekonomik për sanimin e të gjitha dëmtimeve” – thuhet në rekomandimin e ekipit.
Edhe nga Komuna e Dragashit, në takime me ekipin e Auditimit Social janë zotuar se nuk do t’i pranojnë teknikisht projektet ku ka dëmtime pa u rregulluar nga kompanitë që janë duke i kryer punimet.
Ekipi gjatë vizitës në terren ka konstatuar se trotuari është shumë i ngushtë dhe i papërshtatshëm për lëvizjen e personave me aftësi të kufizuara apo për fëmijë. Ekipi ka rekomanduar që të shikohet mundësia që të intervenohet në projekt që ai të jetë i qasshëm për personat me aftësi të kufizuara.
Gjatë vizitës në terren ekipi ka identifikuar se Muri përgjatë varrezave ndan dy pjesët e trotuarit, gjë që detyron qytetarët të kalojnë në asfalt për të kaluar nga njëra anë në tjetrën, duke rrezikuar sigurinë e tyre për shkak të qarkullimit të automjeteve me shpejtësi. Rekomandohet gjetja e një zgjidhjeje për lidhjen e të dy pjesëve të trotuarit.
Te ndërtimi i trotuarit në Brezne është vërejtur se mungon tabela informuese dhe sinjalistika rrugore, ndërsa materialet ndërtimore dhe mbeturinat nuk janë larguar nga vendpunishtja. Janë vërejtur anësore të dëmtuara dhe mungesë e masave për mbrojtje nga erozioni.
“Rekomandohet pastrimi i zonës, sanimi i dëmtimeve dhe ndërmarrja e masave mbrojtëse”- thuhet në letrën e ekipit drejtuar komunës.
Te projekti i ndërtimit të murit mbrojtës pranë varrezave të qytetit, ekipi ka evidentuar gjatë vizitës në terren që është krijuar një hendek mes murit dhe terrenit, që rrezikon shembje të dheut, dhe që materialet inerte nuk janë larguar dhe asfalti është dëmtuar.
“Kërkohet ndërhyrje e menjëhershme për stabilizim dhe sanim”- rekomandohet nga ekipi i Auditimit Social në Dragash.
Sa i përket projektit të ndriçimitt në rrugën unazore në Dragash, ekipi ka gjetur që kontrata është nënshkruar por punimet nuk kanë filluar. Ekipi ka rekomanduar nisje urgjente të punimeve për të mos humbur fondet dhe për të shmangur vonesa të mëtejshme për shkak të kushteve atmosferike.
Në takim me ekipin e Auditimit Social, nga komuna janë zotuar që projektet do të kryhen brenda afateve të përcaktuara.
Në nisje të projektit të Auditimit Social në vitin 2025, BIRN Kosova ka nënshkruar një Memorandum të Mirëkuptimit me Komunën e Dragashit për bashkëpunim, transparencë dhe lehtësim të procesit të Auditimit Social në këtë komunë.
Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, i ka vlerësuar këto projekte si shumë të rëndësishme për Komunën e Dragashit dhe është shprehur i gatshëm për bashkëpunim me ekipin e Auditimit Social.
Për ngritjen e kapaciteteve, fillimisht BIRN Kosova ka ofruar një program trajnimi për gjashtë organizatat e shoqërisë civile që janë partnere gjatë implementimit të procesit të Auditimit Social në Kaçanik, Istog, Drenas, Dragash, Lipjan dhe Mamushë./KALLXO.com