Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot anëtarë nga Shoqata Gjermane për Kombet e Bashkuara (DGVN).
Sipas një komunikate nga Zyra e Kryeministrit, në bashkëbisedimin me ta, Kurti theksoi se bashkëpunimi mes njerëzve dhe organizatave është kyç në kohët ku po jetojmë, është i rëndësishëm për demokracinë, lirinë dhe paqen. Në vijim thuhet se ai foli rreth arritjeve dhe sukseseve të qeverisë përgjatë këtij mandati.
“Në katër vitet e fundit, rritja ekonomike mesatare e vendit ka qenë rreth 6%, ndërkohë që sipas FMN-së Kosova do të vijojë të jetë e para në rajon edhe këtë vit sa i përket rritjes ekonomike. Kjo është arritur ndër të tjera edhe falë dyfishimit të investimeve të huaja direkte, dyfishimit të eksporteve dhe uljes së papunësisë. Kryeministri Kurti shtoi se sipas modelit gjerman, edhe në Kosovë, po e lidhim përmes sistemit dual, arsimin me tregun e punës. Ndër arritje të tjera të qeverisë dhe punës së zhvilluar gjatë katër viteve të fundit, kryeministri theksoi dhe liberalizimin e vizave, e cila sjell lëvizjen e lirë drejt vendeve të zonës Shengen”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, Kurti foli edhe rreth rëndësisë së diasporës, veçanërisht në Gjermani ku jetojnë rreth 600 mijë shqiptarë, të cilët ka thënë se janë urë e fuqishme në ndërlidhjen mes dy shteteve.
Duke i falënderuar Shoqatën Gjermane për Kombet e Bashkuara për bashkëbisedimin dhe vizitën në Kosovë, Kurti i uroi qëndrim të frytshëm dhe produktiv në Kosovë, shkruan në fund të njoftimit nga Zyra e Kryeministrit.