Të enjten në Kosovë u shënua 35-vjetori i Ditës së Unitetit Gjerman. Në një postim në Facebook, nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, thuhet se kjo ditë na kujton se sa shumë mund të arrihet kur njerëzit bashkohen me vendosmëri, guxim dhe një ndjenjë të përbashkët qëllimi.
Tutje, Ambasada gjermane thekson se festimet e Ditës Gjermane të Unitetit të këtij viti ishin të veçanta në kuptimin e dyfishtë, pasi me këtë rast prezantuan edhe ambasadorin e ri të Gjermanisë, Rainer Rudolph.
Si e ftuar nderi në këtë festë, ishte presidentja Vjosa Osmani, e cila në një fjale rasti, theksoi lidhjen e veçantë mes Gjermanisë dhe Kosovës.
“Lidhje, e cila prek jetën e kosovarëve dhe gjermanëve në çdo nivel dhe të cilën ambasadori Rudolph kërkon ta forcojë edhe më tej gjatë gjithë mandatit të tij”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
“Ishte nder që këtë ditë të veçantë ta festojmë bashkë me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë Albin Kurti, mysafirë të dalluar, miq, kolegë dhe partnerë. Faleminderit të gjithëve që i bëtë festat e mbrëmshme kaq të veçanta!”, shton Ambasada gjermane.