Emergjenca e Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit ka konfirmuar se nëna dhe vajza e saj, të cilët dyshohen se janë sulmuar me thikë nga burri, respektivisht nga babai, janë duke u trajtuar në mjekim intensiv.
Shefi i Emergjencës në Spitalin e Prizrenit, tha se pranimi i viktimave është bërë rreth orës 00:45, teksa plagët janë të natyrës së rëndë dhe janë përhapur në pjesë të ndryshme të trupit të viktimave.
“Pas konsultës me kirurgët kujdestarë, është vendosur që të dy pacientet të hospitalizohen për ndërhyrje kirurgjikale”- theksoi për KALLXO.com Hekuran Veçhishti.
Aktualisht, të dyja të lënduarat janë duke u trajtuar në repartin e Mjekimit Intensiv Qendror, ndërsa gjendja e tyre vlerësohet si serioze, por stabile.
Më 17.10.2025 në rrugën “Rexhep Kabashi” në Prizren, një burrë dyshohet se ka plagosur me thikë gruan dhe vajzën e tij të mitur.
Lajmi është konfirmuar nga Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, e cila përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 00:20 pas mesnate./Kallxo.com