Policia e Kosovës ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme armësh, municionesh dhe pajisjesh të tjera ilegale gjatë një aksioni të ndërmarrë në fshatin Mekinice të komunës së Leposaviqit.
Sipas Policisë, aksioni u zhvillua pas një raportimi të bërë në stacionin policor të Mitrovicës së Veriut nga një grua, e cila njoftoi se ishte kanosur nga bashkëshorti i saj dhe se ai posedonte armë zjarri.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit, policia ka konfiskuar: 3 pushkë automatike të tipit AK-47 1 pushkë ajrore 1 revole 1 shkrepës në formë revolje 55 fishekë 1 bajonetë 2 thika 5 karikatorë për AK-47 1 karikator revoljeje 1 këllëf revoljeje 1 xhaketë ushtarake 2 këmisha të Policisë së Serbisë
I dyshuari, S.T., 49 vjeç, kishte në fuqi një urdhër mbrojtjeje të lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, i cili ishte aktiv nga 15 tetori 2024 deri më 15 tetor 2025.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është inicuar procedurë penale për veprat: “Kanosje”, “Mospërfillje e urdhrit të gjykatës” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Ai është ndaluar për 48 orë.
Gjatë kontrollit, prindi i të dyshuarit, N.T., 70 vjeç, ka deklaruar se njëra prej armëve AK-47, pushka ajrore, bajoneta dhe uniformat ushtarake i përkisnin atij.
Edhe ndaj tij është inicuar rasti “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Pas intervistimit, ai është liruar në procedurë të rregullt, me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
“Policia Rajonale Mitrovicë Veri mbetet e përkushtuar për sigurinë dhe rendin publik dhe fton qytetarët të bashkëpunojnë duke raportuar çdo aktivitet të dyshimtë”, theksohet në njoftim.