Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar të hënën presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Marcos Perestrello.
Osmani thotë se e ka falënderuar Perestrellon për nominimin e tij për Çmimin për ‘Gratë, Paqen dhe Sigurinë’, si dhe vendimin e Asamblesë Parlamentare që të ndajë këtë vlerësim, i cili njëkohësisht sipas presidentes, është edhe vlerësim për të gjitha gratë e Kosovës.
Presidentja ka bërë të ditur se gjatë takimit diskutuan për rolin në rritje të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, pas vendimit për avancimin e statusit të Kosovës në anëtare të asociuar, i cili sipas saj është një hap i rëndësishëm përpara në rrugëtimin euroatlantik të vendit.
Në fund, ajo ka rikonfirmuar se Kosova do të shfrytëzojë plotësisht këtë mundësi si pjesë e aspiratës më të gjerë për anëtarësim në NATO, që sipas saj mbetet njëkohësisht prioritet i politikës së jashtme dhe çështje e rëndësisë së veçantë për sigurinë kombëtare.