Dogana e Kosovës, në një komunikatë për media, ka bërë të ditur se të shtunën, oficerët doganorë në pikën doganore të Vërmicës kanë parandaluar disa dërgesa të postave të shpejta, gjatë tentativave për kontrabandim të mallrave të ndryshme.
Sipas njoftimit të Doganës, vlera e përafërt e këtyre mallrave, sipas vlerësimeve fillestare, kalon shumën prej 5 mijë eurosh, ndërsa bëhet e ditur se zyrtarët doganorë janë duke verifikuar saktësisht vlerën totale të produkteve, si dhe përputhshmërinë e dokumentacionit të dërgesave me rregullat doganore në fuqi.
Siç bëhet e ditur në njoftimin e Doganës, ndaj personave përgjegjës janë inicuar procedurat kundërvajtëse, ndërsa mallrat janë sekuestruar në përputhje me ligjin.
Dogana e Kosovës thekson tutje se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit, transparencën dhe integritetin në çdo procedurë doganore, duke parandaluar çdo tentativë për shmangie të detyrimeve ligjore dhe dëmtim të tregut të ndershëm.