Sot u lëshua për qarkullim njëra korsi e rrugës Prishtinë – Mitrovicë, e cila pritet të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve të Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Prishtinës.
Ky lajm u bë i ditur nga u.d. ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi. Ai ka thënë se shumë shpejt do ta kemi të përfunduar tërë segmentin e kësaj rruge.
“Bashkë me Faton Pecin dhe Sylejman Mehollin, e bëmë për hajr rrugën Prishtinë – Mitrovicë. Sot u lëshua për qarkullim njëra korsi dhe pritjeve të gjata u erdhi fundi. Qytetarët e Mitrovicës, Vushtrrisë e Prishtinës tash lëvizin më shpejt e më lehtë. Përkushtimi i qeverisë sonë për këtë anë është i pashembullt. Punimet po ecin me ritëm të lartë dhe shumë shpejt do ta kemi të përfunduar tërë segmentin. Kjo rrugë i afron më shumë edhe Bjeshkët e Shalës, bukuritë madhështore të vendit tonë që tash janë më të arritshme se kurrë. Është më shumë se infrastrukturë, është zhvillim, lidhje dhe mundësi të reja për njerëzit tanë”, shkruan Durmishi.
Lidhur me këtë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar banorët e Vushtrrisë dhe Mitrovicës.
“Qytetin e Mitrovicës po e lidhim me ura të reja, e rajonin e Mitrovicës me rrugë të mira e të nevojshme. Urime banorëve të Vushtrrisë dhe Mitrovicës!”, është shprehur Kurti.