Gazetari dhe profesori i gjuhës shqipe dhe i letërsisë, Enver Sulaj, ka ndarë një fragment nga një ekspeditë mbledhëse – hulumtuese të realizuar në vitet 1934-1935 të shekullit të kaluar, ku Universiteti i Harvardit ka krijuar koleksionin e njohur me titull “Milman Parry Collection of Oral Literature” (koleksioni i letërsisë gojore i Milman Parry-t”, duke e cilësuar si “arkiv unik i traditave gojore ballkanike”). Sipas tij, ekspedita që ka prodhuar këtë koleksion është realizuar në rajonin e gjerë të Ballkanit, duke përfshirë edhe trojet etnike shqiptare.
Sulaj thotë se një pjesë të konsiderueshme në këtë koleksion e zënë edhe lahutarët shqiptarë, në mesin e tyre edhe Salih Uglla (Ugljanini), i cili është vënë në fokusin e studiuesit të Universitetit të Harvardit, Milman Parry-t, i cili u ndihmua kryesisht nga Nikola Vujnović (një këngëtar nga Stolaci,) dhe Albert Lord (ish-student në Harvard dhe kurator i ardhshëm i koleksionit Milman Parry).
“Ky koleksion, më i madhi i këngëve, i regjistruar në audio dhe të transkriptuara, përfshin vetëm këngët e kënduara në boshnjakisht, por jo edhe ato të kënduara në gjuhën shqipe. Aq sa ka qenë i rëndësishëm ky projekt në kohën kur u realizua, qoftë si sfidë shkencore apo edhe teknologjike, si prodhimi i disqeve të veçanta për të bërë regjistrimin pa e ndërprerë të performancë së lahutarit, po aq ka qenë i rëndësishëm edhe procesi i digjitalizimit, për të cilin janë bërë edhe studime e hulumtime shkencore.
Gjatë analizës së këtij koleksioni voluminoz dalin shumë pyetje, por në këtë trajtesë jemi fokusuar te pjesa e bisedave (Conversation- Pričanje) të lahutarit shqiptar Salih Uglla me Milman Parry-n, në një lexim që përpiqet, për aq sa është e mundur, të shmangë perceptimin tradicional të interpretimit brenda kontekstit të trazuar ballkanik, që fatkeqësisht ka krijuar një diskurs mohues ndaj eposit tonë të kreshnikëve.
Kur e kam dëgjuar për herë të parë lahutarin Salih Uglla, si pjesë e një studimi tim mbi foklorin, më është dukur si jehonë e largët mitike, ku lahutari, para një audience jotradicionale, pothuajse i vetmuar dhe përballë teknologjisë së fjalës së fundit, këndon dhe rrëfen njëkohësisht; herë në gjuhën e nënës (shqip) e herë në gjuhë të huaj (boshnjakisht), por pa harruar asnjëherë të theksojë gjatë bisedave edhe identitetin e tij shqiptar, që, me kalimin e viteve ka pësuar një lloj ndrydhjeje e venitje të heshtur. Kjo vërehet në punën me ekipin e Harvardit, të cilët e zhvillojnë hulumtimin-kërkimin në një kontekst kulturor e social që ka reflektuar edhe qasjen përfundimtare ndaj këtij materiali (dhe vlerave të eposit tonë heroik), duke e trajtuar si epos sllav. Por, duket se kjo Parry-t nuk i prishte punë, sepse ai, në fakt, nuk kishte në fokus çështjet etnike të folklorit, por po studionte ligjësitë e krijimit të eposit homerikme “të testonte idetë e tij rreth krijimit të Iliadës dhe Odisesë.“
Gjatë bisedave me Salihun, ata testojnë memorien e tij, mënyrën e krijimit, saktësinë e rrëfimit gjatë kalimit nga një gjuhë në tjetrën, aftësinë për ta kthyer një këngë nga një gjuhë në tjetrën etj. E, në këtë rast, gjithçka duket mitike, e largët, por madhështore, sepse aty dëgjon lahutarin, i cili flet me pasion për identitetin e tij etnik, besën, bëmat, gjuhën, traditën e martesave, ritet religjioze, të varrimit, thjesht ambientin kulturor në Pazar të Ri në vitet ’30. Përveç këngëve, me interes janë edhe bisedat ku vërehen tensione, shpesh me ngjyra etnike, rajonale, religjioze, kulturore, sociale, etj.
Puna e Parry-t, ishte një lloj eksperimenti, sepse në këtë kërkim ai po zbatonte njohuritë e tij akademike, ku në qendër kishte lahutarin Salih Uglla, i cili jo vetëm këndon, por edhe rrëfen, kallëzon, komenton, interpreton, përkthen, proteston, reziston, por asnjëherë nuk dorëzohet, ndonëse, pas orësh të gjata të të kënduarit e të rrëfyerit e ndjen edhe lodhjen fizike.
Duke analizuar Koleksionin e Millman Parry-t, vërejmë se bashkëpunëtori i tij lokal, Nikola Vujnoviq, ndaj lahutarit shqiptar, Salih Ugllës (Uglaninit) ka dëshmuar, presion të pajustifikueshëm, që kalon në trajtim joprofesional, përbuzje e ofendim, që në terminologjinë moderne është cilësuar si dhunë epistemike. Është interesant se në disa raste, komunikimi në mes Vujnoviqit dhe Salihut nuk është transkriptuar, ndonëse Vujnoviq dëgjohet duke ia tërhequr vërejtjen lahutarit që të fliste me zë më të lartë, ose duke mos iu drejtuar në emër.
Në vitin 1934, gjatë bisedës së regjistruar në MPOL, Salih Uglla thotë se është 85 vjeç, vjen nga fshati Ugëll, rrethi i Sjenicës, larg nga Novi Pazari 8 orë në këmbë. Fshati ka 70 shtëpi dhe të gjithë janë shqiptarë.
Deri në moshën 30 vjeçare ai ka kënduar në shqip e pastaj në boshnjakisht. Kur e pyet Nikolla se në cilën gjuhë di këngë më shumë, ai thotë se në shqip di më shumë dhe për këtë ndjenë një lloj ngazëllimi, një zjarr shpirti që fillon me pasthirrmë:
S: Hej! Pesëdhjetë këngë i kam ditur në shqip, ja kështu ndër vete çfarë bëjnë, ka shumë këngë mes vete çfarë bëjnë…për trimëri, domethënë. Ose e kanë sulmuar pashën, ose kanë qenë komitë, ka shumë prej atyre këngëve. Edhe këto që kanë luftuar, domethënë, me Malin e Zi… kufiri i tyre ka qenë Mali i Zi. Ata nuk kishin tjetër kufi përveç Malit të Zi, kurse Serbia ishte larg.
Në audio-regjistrimin e kësaj bisede nuk dëgjohet qartë zëri i Milman Parry-t, ndërsa në transkript, zëri i tij është shënuar me pika. Nga kjo bisedë vërehet qartë statusi gjuhësor i audiencës në Novi Pazar në kohën së cilës i referohet lahutari Salih Uglla, kur shqiptarët dëgjonin këngë edhe në boshnjakisht, por nuk i kuptonin, meqë gjuha shqipe ishte e vetmja që e kuptonin.
Të ndodhesh përballë studiuesve të Harvardit, që ishin të pajisur me metodologji shkencore moderne dhe kishin një cak që donin ta arrinin në punën e tyre, s’është aspak e lehtë, jo vetem në aspektin intelektual, por edhe në atë fizik, sepse Salihu është bërë pothujase pjesë e një eksperimenti për mënyrën e krijimit oral, përfundimet e të cilit ai as i di, e as është i përgatitur teorikisht në këtë fushë. Por, lahutari shqiptar është i sinqertë, flet për luftërat, vrasjet, traditën shqiptare, shpalos përvojën, dijen e talentin e rrëfimtarit. Përmend edhe besën në një këngë që e këndon në boshnjakisht.
Çfarë thotë Salihu përballë studiuesve, të cilët jo vetëm i kërkojnë të këndojë, por edhe të rrëfejë, të komentojë, të japë sqarime gjuhësore, të shprehë mendime personale mbi çështje të krijimit të epikës, të tregojë për luftërat, për heronjtë tanë etj.
Në këtë rrëfim mësojmë se ai ka marrë pjesë katër herë në luftë me malazezët, si në Beranë, Nokshiq e në Gusi., ndërsa xhaxhai i tij është vrarë në luftën e Gackës.
Talenti i lahutarit në të rrëfyer dëshmohet me elokucionin dhe ironinë e lehtë, që me pak me fjalë e bën të qartë pozicionin e tij dhe qëndrimin për veprimet e bërë.
A janë më të mira këngët boshnjake a shqiptare, pyet Nikolla. Salihu i thotë se serbët i përziejnë këngët. Nikola i kundërpërgjigjet se edhe ti e ke ngatërruar këngën dje. Vërehet një tension, të cilin Nikolla e tejkalon duke parashtruar një pyetje tjetër, ashtu siç bënte gjithmonë, kur donte t’i jepte kahun e dëshiruar bisedës.
Qasja për të ndërtuar një narrativ të paracaktuar e sipas bindjeve të tij shihet në bisedën vijuese në mes Nikollës dhe Salihut:
N: Unë do të doja një këngë në të cilën serbët fitojnë?
S: Për Zotin, ajo s’mund të jetë. S’mund të ta them.
Nga ajo që dëgjohet, Salihu i thotë: “Ja ti lagat ne mogu”, ndërsa e transkriptuar del: “Ja ti kazat ne mogu”. Unë e kam paraqitur këtu versionin e shkruar, ndërsa audio-regjistrimi mbetet për një analizë tjetër.
Një fenomen interesant, ashtu siç është vënë në dukje tashmë edhe nga folkloristika shqiptare dhe e huaj është bilingualiteti, që haset te lahutarët shqiptarë, sepse lahutarët e etnive tjera, nuk e kishin aftësinë të këndonin në dy gjuhë njëkohësisht, madje t’i kthejnë në gjuhën tjetër atypëraty, siç i kërkohej Salih Ugllës nga M. Parry e N. Vujnoviq.
“Kur e vizitoi Sanxhakun (pra, ish-Sanxhakun osman të Novi Pazarit, një rajon që sot shtrihet përgjatë kufirit mes Serbisë dhe Malit të Zi dhe kufizohet me Kosovën dhe Shqipërinë e Veriut) në vitet 1934 dhe 1935, Milman Parry gjeti disa këngëtarë dygjuhësh me prejardhje shqiptare. Njëri prej tyre, Salih Ugljanin, ishte në gjendje të këndonte këngë epike si në shqip ashtu edhe në boshnjakisht, dhe madje pohonte se ishte i aftë të përkthente këngë nga një gjuhë në tjetrën.
Këtë “kthim gjuhësor” të këngëve në disa raste lahutari Salih Uglla e bënte për herë të parë, atypëraty, siç do të thoshim me gjuhën e sotme live, me krejt emocionet e një artisti, por edhe tensionin e natyrshëm që e shoqëron një performansë e tillë. Por, kishte raste, kur Parry i kërkonte një natë përpara që një këngë boshnjakisht ta kthente të nesërmen në gjuhën shqipe apo anasjelltas. Aty ku ndalet kënga, fillon rrëfimi, me tërë peshën e memories historike dhe etnike mbi shpatulla, për të përmbushur pasionin personal, por edhe kërkesat e hulumtuesve që nuk reshtnin dhe ndërynin pandërprerë, që sigurisht e ka vështirësuar procesin e të rrëfyerit dhe të kënduarit.
Gjuha shqipe e lahutarit Salih Uglla bart në vete krejt peshën e viteve të vështira të banorëve të kësaj zone, që pasi humbën gjuhën rrezikuan mbamendjen historike. Salih Uglla sapo të fillojë të këndojë në shqip, të duket tjetër person; teksti ka krejt ngarkesën e urrejtjen për kundërshtarin, nuk zgjedhen fjalët dhe portretizimi i palës tjetër bëhet me epitete e pa asnjë rezervë leksikore.
Konteksti historik e gjuhësor ka përcaktuar qasjen ndaj folklorit tonë dhe pozicionin e vetë lahutarëve në raport me studiuesit e Harvardit dhe vetë interpretimi i këngëve-performanca para audiencës.
Ndonjëherë, vërehet përpjekje kush të marrë pozicionin kryesor në bisedë, Parry apo Nikolla Vujnoviqit, apo më mirë të thuhet hasen qasje të ndryshme që reflektohen në qëndrimin ndaj Salih Ugllës. Në një rast Vujnoviq ndërhyn në bisedën që Parry po zhvillonte me Salihun duke e pyetur a ke kënduar në luftë, ndërsa Nikolla ndërhyn dhe pyet nëse Qorr Husoja ishte këngëtar më i mirë se të tjerët…
Lidhur me këtë këngëtar, prej të cilit Salihu thotë se i ka mësuar disa këngë, Nikolla e pyet kohëpaskohe, si për ta testuar memorien e lahutarit, por ndonjëherë, dalin të dhëna interesante:
N: A më ke treguar mjaftueshëm për atë këngëtarin Qor Huso nga Kolashini? A ka vdekur në Kolashin?
S: Jo, për Zotin, ai ka vdekur në Kopaonik, e kanë vrarë serbët.
Salihu sqaron më tutje se kjo vrasje është bërë në pusi.
Ky rrëfim i Salih Ugllës dhe pyetjet e asistentit të Parry-t, Nikollës janë dëshmi shfytëzimit të pozitës për të qenë subjektiv në interpretimin e fakteve dhe për të ndikuar në ndërtimin e një narrativi për etninë tjetër, duke stimuluar e nxitur bashkëfolësin të bëhet pjesë e këtij qëllimi”, shkruan Sulaj, duke theksuar se kjo është vetëm një pjesë e ndarë nga një punim i gjerë shkencor.