Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të shoqëruar nga ushtruesi i detyrës së kryeshefit të KEK-ut, Gramos Hashani, kryetari i Bordit të KEK-ut, Valdrin Krasniqi dhe anëtarë tjerë të Bordit, vizituan sot termocentralin “Kosova B”, me rastin e përmbylljes me sukses të punimeve dhe projektit për modernizimin e njësisë prodhuese B2, një prej projekteve më të rëndësishme të Korporatës Energjetike të Kosovës që nga ndërtimi i këtij termocentrali, që garanton stabilitetin afatgjatë të furnizimit me energji elektrike për gjithë vendin.
“Ky është një sukses i madh i ekipit të KEK-ut, i mbështetur nga qeveria dhe partnerët teknikë, që sot po kurorëzohet me rezultate të prekshme e të dukshme”, u shpreh Kurti.
Ky projekt paraqet një ndërhyrje të thellë teknike dhe inxhinierike, që ka transformuar njësinë e prodhimit në një sistem shumë më efikas, më të qëndrueshëm dhe më të sigurt. Si rezultat:
Kapaciteti prodhues është rritur për rreth 35 Më, pa asnjë ndryshim në parametrat bazë të funksionimit.
Eficienca e sistemit është rritur ndjeshëm, falë teknologjisë së re dhe modernizimit të turbinës, që tash garanton prodhim më të madh me më pak konsum energjie të brendshme.
Konsumi i thëngjillit është ulur nga 1.3 ton në 1.15 ton për Më, duke dëshmuar përmirësim të dukshëm në procesin e konvertimit të energjisë.
Për të njëjtën sasi të Më të prodhuar, ka ndotje më të ulët, falë përdorimit më efikas të lëndës djegëse.
Jetëgjatësia e njësisë është shtuar për rreth 20 vjet, ndërsa cikli i mirëmbajtjes së pajisjeve të reja është shtyrë nga 6 në 9 vjet, një përmirësim që do të kursejë miliona euro në mirëmbajtje dhe do të garantojë stabilitet më të madh afatgjatë.
Ky Remonti Kapital ka përfshirë:
Modernizimin e turbinës – që përbën zemrën e sistemit të prodhimit.
Ndërrimin e zbarave të gjeneratorit elektrik, për rritje të stabilitetit të tensionit dhe efikasitetit.
Riparimin e ndërprerësit elektrik, që siguron mbrojtje maksimale të rrjetit.
Ndërrimin e ekonomajzerit, për përmirësim të procesit të ngrohjes së avullit.
Riparimin e kanalit të gazrave, për optimizim të qarkullimit dhe mbajtjen e parametrave të punës.
Ndërrimin e mbi 4 mijë gypave në kondenzator, për efikasitet më të lartë termik.
Ndërrimin e pjesshëm të vareseve, që rrisin sigurinë strukturore dhe qëndrueshmërinë e sistemit.
Kurti falënderoi KEK-un, punëtorët, menaxhmentin, Bordin dhe Ministrinë e Ekonomisë, që tash tek Njësia B2, kapaciteti prodhues ka kaluar shifrën 300 – duke arritur kështu kapacitetin e njësisë B2 në 318 megavat, dhe bashkë me 277 megavatën e B1-it, i afrohemi gjenerimit të gjithmbarshëm prej 600 megavat. Ai po ashtu u shpreh i gëzuar me njoftimin nga ushtruesi i detyrës së kryeshefit, që sot jemi duke eksportuar energji elektrike, meqë konsumin vendor e mbulon KEK-u me gjenerim.
Duke folur për rëndësinë e këtyre investimeve në Bllokun 2 të termocentralit, ministrja Rizvanolli njoftoi se investime të ngjashme do të bëhen edhe në Bllokun 1 gjatë vitit të ardhshëm, ku gjithashtu atje do të vendosen edhe filterët. Ajo i falënderoi punëtorët e KEK-ut, menaxhmentin, kontraktorët dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë projekt, duke nisur nga negociimi i tij që është bërë gjatë periudhës 2022/23 deri te realizimi.