Kuvendari i Kuvendit Komunal të Prizrenit dhe kandidati për një mandat të ri nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haziz Hodaj, ka reaguar ashpër ndaj, siç e quan ai, “harresës dhe mungesës së mirënjohjes institucionale” gjatë përurimit të një shkolle të re në Has.
Në një reagim publik, Hodaj shpreh zhgënjimin e tij për faktin që në ceremoninë inauguruese të shkollës nuk u përmend kontributi i ish-drejtorit dhe njërit prej themeluesve të këtij institucioni, Osman Jahaj.
“Sot u përurua një shkollë e re, një hapësirë që do të edukojë breza të rinj dhe do të ndikojë pozitivisht në të ardhmen e komunitetit tonë. Por, mungoi diçka që nuk duhej të mungonte – mirënjohja publike për një njeri pa të cilin kjo shkollë nuk do të ekzistonte”, shkruan Hodaj.
Ai përshkruan kontributin e Jahajt si themelor për themelimin e shkollës, duke e cilësuar si njeri me “përkushtim, vizion dhe përpjekje të palodhshme”, që ka lëvizur çdo gur për të ndërtuar këtë institucion.
“Nuk mund të ndërtojmë institucione arsimore mbi harresë e neglizhencë. Mirënjohja nuk është obligative për ata që kalojnë përkohësisht në pushtet, por për ne që besojmë në vlerat njerëzore, është detyrim moral”, thekson ai.
Hodaj bën thirrje për reflektim dhe i drejtohet me mirënjohje të thellë personalisht Osman Jahak: “Faleminderit Osman Jahaj që kontribove kur të tjerët qëndronin pasivë e i mbanin ‘veshët në lesh’. Hasi dhe historia hasjane nuk e harron kontributin tënd jetësor – edhe nëse disa sot zgjodhën ta bëjnë.”, ka përfunduar Hodaj.