Home LAJME Kurti: Arsimimi dhe edukimi i brezave të rinj është prioritet qeveritar e shtetëror

Kurti: Arsimimi dhe edukimi i brezave të rinj është prioritet qeveritar e shtetëror

0
Kurti: Arsimimi dhe edukimi i brezave të rinj është prioritet qeveritar e shtetëror

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e punëtorisë me të gjithë inspektorët e arsimit me temë “Praktikat e mira për inspektim efektiv”, organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Në fjalën hyrëse, Kurti tha se është kënaqësi të jetë në mesin e profesionistëve që mbikëqyrin cilësinë e arsimit tonë, që ruajnë standardin dhe ndihmojnë përmirësimin e mëtejmë, për të vlerësuar përpjekjet për ngritjen e cilësisë në arsim, edhe për të rikonfirmuar që arsimimi dhe edukimi i brezave të rinj është prioritet qeveritar e shtetëror, njofton Zyra e Kryeministrit.

Sipas një njoftimi për media nga Zyra e Kryeministrit, ai ka kujtuar se për një periudhë të gjatë kohore, Inspektorati i Arsimit ka funksionuar me vetëm 25 inspektorë, numër ky siç tha kryeministri, nuk përkon as afër me numrin e institucioneve arsimore, kopshteve e çerdheve.

“Megjithëkëtë, edhe përballë këtij realiteti sfidues, me përkushtim, ju keni mbajtur funksionimin e një prej mekanizmave më të rëndësishëm të sistemit arsimor. E për këtë, ju shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen time, të gjithëve, secilës e secilit”, tha ai, duke shtuar se përpjekjet e Qeverisë dhe të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për forcimin e kapaciteteve të inspektoratit arsimor nuk janë ndalur asnjëherë. Si rezultat i këtij angazhimi, ai theksoi se kanë pranuar 22 inspektorë të rinj që do t’i japin sistemit arsimor më shumë mbështetje dhe prani në terren.

Më tej, kryeministri në detyrë tha se gjatë këtyre viteve kemi investuar në mënyrë të vazhdueshme dhe strategjike në sektorin e arsimit, në ndërtimin dhe renovimin e shkollave dhe çerdheve, në pajisjen e tyre me infrastrukturë moderne dhe në zhvillimin profesional të mësimdhënësve, duke krijuar kështu kushte më të mira, që shkollat të ofrojnë cilësi, përgatitje të lartë dhe mirëqenie për çdo nxënës, thuhet në njoftim.

“Të gjitha këto investime janë edhe në favor të punës suaj si Inspektorat i Arsimit. Sa më i fortë të jetë themeli i sistemit arsimor, aq më e lehtë bëhet puna e inspektimit dhe aq më pak ndërhyrje do të jenë të nevojshme. Kur standardet ngrihen dhe kushtet përmirësohen, kontrolli shndërrohet në partneritet dhe mbikëqyrja bëhet garanci si për cilësi ashtu edhe për efikasitet”, tha ai.

Duke nënvizuar se inspektimi nuk është detyrë e lehtë, por një mision fisnik që kërkon profesionalizëm, ndershmëri dhe përgjegjësi, Kurti theksoi mbështetjen e Qeverisë me trajnime cilësore, me përmirësim të kushteve të punës dhe me vlerësimin që e meritojnë ata.

Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se është ofruar mbështetje e plotë në realizimin e misionit dhe synimit të përbashkët për përmirësimin e cilësisë në arsim, meqenëse sipas saj, Inspektorati i Arsimit është shtylla kryesore e zbatimit të politikave arsimore dhe garantuesi i respektimit të standardeve në institucionet tona arsimore.

“E konsiderojmë si arritje shumë të rëndësishme rritjen e numrit të inspektorëve në gjithë sektorët e Inspektoratit të Arsimit në Republikën e Kosovës. Nga 25 inspektorë sa ishin gjithsej në Republikën e Kosovës, tani pothuajse kemi arritur ta dyfishojmë atë numër, duke arritur në 47 dhe si Qeveri kemi ndarë buxhetin dhe kemi bërë planifikimet për punësimin edhe të 20 inspektorëve të rinj”, tha ministrja Nagavci.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here