Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, ka vizituar këtë javë oficerët dhe ushtarët e Gardës Skoceze në Kampin Bondsteel, të cilët janë dislokuar në Kosovë para një muaji.
Hargreaves ka thënë se dislokimi i këtij kontigjenti tregon për angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor, shkruan Reporteir.net.
Ai ka ndarë edhe disa fotografi nga vizita.
“Kam pasur kënaqësinë të vizitoj oficerët dhe ushtarët e Gardës Skoceze në Kampin Bondsteel këtë javë. Ata janë atje për të ushtruar një dislokim operativ si Rezerva Strategjike e KFOR-it. Ky dislokim tregon aftësinë e Ushtrisë Britanike për të përmbushur angazhimin ndaj NATO-s dhe tregon mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Hargreaves.
Kontingjenti i parë i “Scots Guards”, një regjiment i këmbësorisë së mekanizuar të lehtë nga Mbretëria e Bashkuar, ka mbërritur në Kosovë para një muaji dhe do të qëndrojë përkohësisht për qëllime stërvitore.
Ky aktivitet zhvillohet rregullisht dhe synon të përmirësojë gatishmërinë operacionale të KFOR-it dhe aftësinë e tij për të reaguar në mënyrë efektive ndaj zhvillimeve përkatëse të sigurisë.