Drejtoresha e Arsimit në Prizren, Luljeta Veselaj – Gutaj, ka reaguar ndaj një deklarate të publikuar nga kryetari i degës së AAK-së në Prizren, Besnik Krasniqi, i cili ka akuzuar komunën për mungesë të energjisë elektrike dhe punime të papërfunduara në tualetet e shkollës “Nazim Nurkollari Budakova”.
Veselaj – Gutaj i ka quajtur këto akuza të papranueshme dhe pa vend, pasi sipas saj, furnizimi me energji elektrike nëpër objekte shkollore është përgjegjësi e KEDS-it dhe jo e komunës së Prizrenit.
“Është e pavend të akuzohet komuna se ka ‘maltretuar’ fëmijët në një objekt shkollor modern, i cili është ndër më të avancuarit në komunë dhe rajon, vetëm për shkak të vonesës së KEDS në kyçjen e objektit në rrjetin elektrik. E vërteta është se nuk mund të quhet ‘turp’ investimi prej 5 milionë eurosh në infrastrukturën arsimore të qytetit. Përkundrazi, ky është një hap i madh përpara në respektimin e të drejtës themelore të fëmijëve për arsim cilësor. Turp, në fakt, është të mos kuptohet funksionimi i mirëfilltë i autoriteteve publike dhe roli i institucioneve që ofrojnë shërbime qytetarëve. Po ashtu, është e papranueshme të orientohet protesta në adresën e gabuar. Çështjet që kanë të bëjnë me furnizimin me energji elektrike janë përgjegjësi e KEDS, jo e shkollës apo e komunës”, është shprehur drejtoresha Veselaj – Gutaj.
Drejtoresha Veselaj – Gutaj është shprehur se “institucioni i komunës mbetet i përkushtuar që të gjitha çështjet t’i adresojë me kohë dhe korrektësi, transparencë dhe mbi bazën e legjislacionit në fuqi”.
Së fundmi, ajo ka thënë se është e papranueshme që objektet shkollore të përdoren për qëllime politike.
“Shkolla është hapësirë për edukim dhe arsimim, jo për fushata. Jo politikë me shkollën – vatrën e dijes! Mbështetja e qytetarëve fitohet vetëm përmes punës, korrektësisë dhe transparencës. Qytetarët e dijnë më së miri, e kanë vlerësuar dhe po e vlerësojnë përditë punën e mirë të qeverisjes komunale”, ka potencuar ajo.
Kryetari i degës së AAK-së në Prizren, Besnik Krasniqi, njëherit kandidati për kryetar të komunës së Prizrenit nga ky subjekt politik në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, sot ka publikuar një video nga ShFMU “Nazim Nurkollari Budakova” në Prizren, ku sipas tij fëmijët e tij vijojnë mësimet aty, duke akuzuar komunën e Prizrenit për mungesën e energjisë elektrike në këtë objekt shkollor dhe punimet e papërfunduara në tualetet e këtij institucioni arsimor. Ai ka shtuar se fëmijët po ballafaqohen me vështirësi të ndryshme për shkak të këtyre parregullsive.