Ish-diplomati amerikan, James Rubin, gjatë dëshmisë së tij në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, tha se nuk e njihte ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin para se të shkonte në Rambuje. Ai shprehu besimin që as zyrtarë të tjerë të ekzekutivit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk e njihnin atë para nisjes së negociatave në Rambuje.
Ai ka thënë se në takimin e parë, Thaçi e kishte njohur atë pasi ai ishte zëdhënës i Departamentit të Shtetit dhe dilte shpesh në televizione.
“Më kujtohet takimi i parë që më duket është ai që sapo përmendët (në shkurt 1999 v.j) që ishte i regjistruar në kabllogram dhe më kujtohet që ai më njohu menjëherë përmes televizionit sepse unë isha zëdhënës i Departamentit të Shtetit dhe dilja shpesh në televizion – kryesisht për ata që ishin të interesuar për atë që ndodhte në ish-Jugosllavi. Pra, ai më njohu. E në ato ditë kur dikush të njihte ata lëviznin, shpreheshin fizikisht, të shtrëngojnë dorën apo japin shenja fizike dhe znj. Albright e vërejti këtë që e ai e bëri, që më njohu pra. Ajo ishte shumë e zonja për nga marrëdhëniet njerëzore dhe më tha menjëherë: Jamie, bisedo me të, njihu me të!”, deklaroi Rubin.
Ai theksoi se ish-sekretarja e SHBA-së, Madeleine Albright i tha të dilte dhe të njihej me të.
“Sepse unë s’e njihja, askush s’e njihte në fakt në Qeverinë e Shteteve të Bashkuara. Të paktën unë nuk e njihja. Pra ne donim të dinim më shumë se kush ishte udhëheqësi i delegacionit sepse ne donim të shkonim në favor të marrëveshjes së paqes. Pra ajo më tha, njihu me të, dil me të, ndihmoje që të arrijë në vendimin e duhur. Dhe kështu bëra gjatë atyre, besoj dy javëve. U përpoqa të rrija me të, të kaloja kohë më të”, tha Rubin.
Rubin është në mesin e dëshmitarëve të thirrur nga mbrojtja e Thaçit./KOHA