Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator 2025, në lidhje me kërkesën e Listës Serbe për zgjedhjen e nënkryetarëve nga partitë joshumicë.
Kushtetuesja ka vendosur të caktojë ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesve masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë, si dhe ka urdhëruar që masa e përkohshme hyn në fuqi më 5 shtator 2025, në kohëzgjatje deri më 30 shtator 2025.
Vendimi është marrë në përbërje të Kushtetueses nga Nexhmi Rexhepi, kryetar; Safet Hoxha, zëvëndëskryetar; Bajram Ljatifi, gjyqtar; Radomir Laban, gjyqtar; Remzije Istefi-Peci, gjyqtare; Enver Peci, gjyqtar dhe Jeton Bytyqi, gjyqtar.
Kërkesa është dorëzuar nga Igor Simiq, Slavko Simiq, Verica Qeraniq, Zlatan Elek, Adem Hoxha, Srdan Popovië, Branislav Nikoliq, Stefan Kovaqeviq, Miljana Nikoliq dhe Ljiljana Stefanoviq, deputetë të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Sipas Kushteueses, parashtruesit e kërkesës kontestojnë kushtetutshmërinë e “Procesverbaleve të seancave të Kuvendit të Kosovës” dhe vendimeve të nxjerra në seancat e 26 dhe 28 gushtit 2025.
Përveç kësaj, parashtruesit e kërkesës kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës të vendosë masë të përkohshme, “me të cilën do të ndalojë veprimet e mëtejshme kundërkushtetuese të Kryetarit të Kuvendit, në mënyrë që të mos zgjidhet Qeveria kundërkushtetuese ose të fillojnë të rrjedhin afatet për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, për shkak se moscaktimi i masës së përkohshme do të shkaktonte dëme të pariparueshme dhe potencialisht do të çonte në formimin e institucioneve kundërkushtetuese, duke cenuar kështu rendin juridik dhe demokratik në Kosovë”./Kallxo.com