Të premten, në ambientet e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, me rastin e përvjetorit të 26-të të themelimit të Policisë së Kosovës, drejtori rajonal, kolonel Faton Alija, priti në takim pune zëvendëskomandantin e Brigadës Shumëkombëshe të Jugperëndimit, nënkolonel Presim Ferataj, së bashku me stafin e tij.
Nënkolonel Ferataj, përveç funksionit si zëvendëskomandant i Brigadës, është edhe përfaqësues i kontingjentit të ushtrisë shqiptare në kuadër të trupave të KFOR-it.
Policia ka njoftuar se gjatë takimit, përfaqësuesit e KFOR-it përgëzuan Policinë e Kosovës për përvjetorin, si dhe për punën e përditshme profesionale dhe të përkushtuar që kryejnë në shërbim të sigurisë publike. Ata vlerësuan kontributin e vazhdueshëm të policisë në krijimin e një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët.
Me këtë rast, iu dorëzuan mirënjohje drejtorit rajonal dhe tre komandantëve të stacioneve policore të rajonit të Prizrenit.
“Të dy palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, si dhe shprehën mirënjohje për bashkëpunimin e deritanishëm të suksesshëm ndërmjet dy institucioneve”, thuhet në fund të këtij njoftimi.