Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka vizituar Kompleksin Memorial në Prekaz, pak ditë pasi u përball me akuza pasi emri i tij u paraqit si bashkautor i një teksti në të cilin shkruhej ndër të tjera se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte financuar nga trafikantë të drogës.
Basha pati mohuar se e ka shkruar atë pjesë, duke thënë se në punim përgjegjësi ka vetëm mbi kapitullin për fundamentalizmin islamik. Ai ka thënë se ka qenë “i pakujdesshëm” dhe se nuk ka qenë në dijeni të tekstit, deri kur iu publikua pasi u bë kryeparlamentar. Ka thënë po ashtu se ka kërkuar të hiqet kapitulli i punuar nga ai në këtë punim, por edhe emri i tij.
“Kërkoj falje për pakujdesinë time. Duhet ta pranoj që kam qenë i pakujdesshëm dhe i pavëmendshëm. Unë kam kërkuar që të tërhiqet kapitulli dhe emri im nga punimi. Unë nuk kam të bëjë asgjë me këtë. Unë kërkoj falje për pavëmendjen time, por askush nuk mund ta vë në dilemë atdhetarizmin tim”, pati thënë ai të hënën në një konferencë për media kur edhe u shpreh se do ta vizitojë Prekazin dhe familjen e presidentit Ibrahim Rugova.
Siç ka shkruar “EkonomiaOnline”, Basha në vizitë ishte i shoqëruar nga nënkryeparlamentarja Albulena Haxhiu.