Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, priti sot në takim të dërguarin e posaçëm të Francës për Ballkanin Perëndimor, René Troccaz, si dhe ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot.
LDK ka njoftuar se gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend dhe situatën aktuale, “në këtë kontekst për sfidat me të cilat po përballet Kosova, nga bllokada institucionale deri te pasojat e qeverisjes populiste, si dhe qëndrimet e LDK-së, karshi kësaj situate”.
“Kryetari Abdixhiku ritheksoi se LDK nuk mbështet praktika që dëmtojnë funksionimin kushtetues dhe normalitetin institucional të vendit, dhe se ata që e nisën këtë rrugëtim duhet të marrin përgjegjësinë për krizat që i shkaktojnë me vetëdije”, njofton tutje LDK.
Sipas njoftimit, Abdixhiku shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Franca i ka dhënë Kosovës në të gjitha proceset e saj shtetformuese dhe për rolin e saj të rëndësishëm në mbështetjen e integrimit evropian të vendit.