Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës me 73 vota.
Ai ka marrë edhe votat e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Nga PDK-ja për Bashën nuk votuan veç deputetët Ganimete Musliu, Nait Hasani, Fadil Demaku e Rashit Qalaj. Ndërsa, nga AAK-ja ai nuk ka marrë votën e deputetes Time Kadriaj.
Propozimin e Bashës e bëri deputetja dhe ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Pas propozimit, kryesuesi i seancës e hodhi në votim këtë propozim.
Basha mori 73 vota për, kundër ishin 30 dhe 3 kanë abstenuar.
Avni Dehari konstatoi se Kuvendi zgjodhi për kryetar të këtij institucioni, deputetin Dimal Basha.
Dimal Basha u propozua edhe në seancën e kaluar, por nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme.
Zgjedhja e Dimal Bashës shënon zhbllokimin e ngërçit politik e krizës institucionale.
Tash e sa muaj pas përfundimit të zgjedhjeve të 9 shkurtit partitë nuk gjenin konsensus për konstituimin e Kuvendit.