Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka deklaruar se kjo parti do ta votojë Dimal Bashën nëse i njëjti konsiderohet i duhur për kryeparlamentar nga VV-ja.
Në një deklarim para mediave pak para fillimit të seancës, ai tha se PDK-ja i qëndron besnik asaj që ka deklaruar, se kjo parti e voton çdo kandidat që nuk ka qenë pjesë e ekzekutivit.
“Kërkuam konsultim me grupet parlamentare, e kemi bërë edhe sot si grup parlamentar i PDK-së. Tashmë edhe zyrtarisht duke adresuar një kërkesë në drejtim të kryesuesit, Avni Dehari. Kërkesa jonë edhe sot, ashtu siç ishte edhe pardje por që na u pamundësuar, të takohemi me grupet parlamentare, nuk kemi nevojë për konsulta mes nesh. Takohemi me grupet parlamentare për të mundësuar konstituimin dhe për të siguruar që VV është vërtetë e sigurt që nuk dëshiron të japë një kandidat më të denjë dhe më të përgatitur dhe më të duhur se kandidati që propozuan për kryetar”, tha ai, njofton Klankosova.tv.
“Mënyra si e kanë propozuar në mënyrë të befasishme e papritmas nuk ishte mënyra për ta zgjedhur vërtetë, ishte taktizim që po dëshirojnë ta testojnë pozicionin tonë. Në i qëndrojmë besnik qëndrimit tonë. Votojmë një kandidat që nuk ka qenë pjesë e ekzekutivit por kërkesa për konsult edhe sot është për t’i thënë VV-së se a janë të sigurt që vërtetë dëshironi ta degradoni nivelin duke vendosur një kandidat që as nuk është i duhur e as nuk i plotëson kriteret bazike për të qenë kryetar, megjithatë nëse VV e konsideron se Dimal Basha apo një i tillë është kandidati më i mirë që ata kanë për këtë pozicion, ne do ta votojmë”, shtoi kryetari i PDK-së.