Familjet kosovare që kanë ndërtuar shtëpi, apo edhe i kanë pa izolim të jashtëm, këtë vit nuk do të mund të aplikojnë në programin për subvencionim.
Për dallim nga dy vitet paraprake, Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë ka konfirmuar për IndeksOnline se nuk është duke planifikuar hapjen e ndonjë thirrjeje të re për implementim të masave të efiçiencës së energjisë në shtëpitë individuale.
Kjo sepse Fondi nuk ka buxhet në dispozicion për projekt të tillë.
Nga FKEE-ja bëjnë me dije se ka ende qytetarë që nuk kanë dorëzuar dokumentacionet për disbursim, si nga thirrja e vitit të kaluar, ashtu edhe nga viti 2023.
“Nga dy thirrjet publike, atë të gushtit 2023 dhe 2024, janë disbursuar 3275 përfitues me një buxhet mbi 11 milionë e 759 mijë euro ndërsa deri me 31 gusht 2025, qytetarët që janë duke kryer punimet, duhet t’i përfundojnë ato dhe të dorëzojnë dokumentacionin për disbursim, sipas njoftimit të FKEE-së.
Fondet për subvencionimin e masave të efiçiencës së energjisë në shtëpitë individuale, kanë qenë të ndara nga Bashkimi Evropian, si pjesë e pakos së rimëkëmbjes nga kriza energjetike, të siguruara përmes Qeverisë së Republikës së Kosovës”.
Në vend të subvencionimit për shtëpitë individuale, FKEE-ja ka shpërngulur vëmendjen në në një tjetër projekt me rëndësi për efiçiencë.
FKEE-ja deklaron se është në përgatitje e sipër të fillimit të projektit në 400 ndërtesa publike të nivelit lokal dhe qendror në të gjithë territortin e Republikës së Kosovës.
“Ky është projekti më i madh i këtij lloji në vend, i cili do të realizohet nga FKEE-ja në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH)” deklaroi FKEE-ja për IndeksOnline.
Me këtë rast, bëhet me dije se thirrja për aplikim nga ana e komunave që dëshirojnë të bëhen pjesë e implementimit të këtij programi, do të hapet në tremujorin e fundit të vitit, teksa Fondi për Efiçiencë i fton komunat të përfitojnë nga ky projekt.
“Thirrja për aplikim të komunave do të hapet në tremujorin e fundit të vitit, ndërsa ftohen të gjitha komunat që deri më tani nuk kanë raportuar stokun e ndërtesave publike, ta bëjnë këtë deri më 25 gusht 2025 dhe t’i likuidojnë borxhet aktive ndaj FKEE-së deri në shtator 2025.”
Të pyetur nga IndeksOnline nëse mungesa e fondeve është rrjedhojë e mungesës së projekt-propozimit nga ana e Ministrisë së Ekonomisë, nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë thonë:
“Jo, nuk ekziston ndonjë varësi e këtillë. Aktualisht FKEE-ja është duke punuar me kapacitet të plotë në përfundimin e projekteve intensive që tashmë janë në implementim, si renovimi i 17 objekteve publike, rehabilitimi i 28 ndërtesave sociale për familje në nevojë, përgatitja e projektit për 400 ndertesa publike, si dhe zhvillimi i një projekti tjetër për SME-në, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë. Për projektet e reja në sektorin rezidencial parashihet të punohet në fazat e ardhshme, pas përfundimit të projekteve aktive.”
Për dy vjet radhazi, FKEE-ja u mundësoi qindra familjeve të subvencionojnë shumicën e shpenzimeve në izolimin e shtëpive.
Në kuadër të këtij subvencionimi u mundësua termoizolimi i mureve të jashtme, termoizolimi i kulmit dhe ndërrimi i dyerve dhe dritareve të jashtme./IndeksOnline/