OJQ “EC Ma Ndryshe”, në një komunikatë për media, ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm apo dorëheqjen e drejtorit të Urbanizmit në Prizren, ndaj të cilit Prokuroria Themelore në Prizren ngriti aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, lidhur me rrënimin e monumenteve të kompleksit “Saraji i vjetër” në Prizren.
“EC Ma Ndryshe duke marrë parasysh nevojën për funksionimin e institucioneve publike me integritet dhe qeverisjen e tyre me etikë, kërkon shkarkimin e menjëhershëm apo dorëheqjen e drejtorit komunal ndaj të cilit është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Prizren, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. EC-i sjellë në kujtesë se premtimet elektorale të dhëna nga kryetari i komunës së Prizrenit dhe subjekti i tij politik kanë qenë të qarta, me theksin se askush me aktakuzë nuk do të jetë pjesë e kabinetit qeverisës”, shkruan në reagim.
“EC Ma Ndryshe”, tutje ka deklaruar se qysh në qershor të vitit të shkuar kanë kërkuar nga organet përgjegjëse shtetërore që ta hetojnë në tërësi rastin e rrënimit të ndërtesave në kuadër të kompleksit “Saraji i vjetër” në Prizren, “aset ky i mbrojtur i trashëgimisë kulturore, dhe që bazuar në fakte të merren masa ligjore në përputhje me dispozitat e Kodit Penal të Kosovës ndaj të gjithë përgjegjësve për shkatërrimin e asetit nën mbrojtje të përhershme”.
Sipas “EC Ma Ndryshe”, qeverisja lokale në Prizren nuk duhet të ketë drejtorë komunalë me aktakuza për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, duke shtuar se kjo përbën shkelje të drejtpërdrejtë të besimit qytetar.
“EC-i, pa e paragjykuar epilogun e këtij rasti, konsideron se organet gjyqësore duhet marrin një vendim meritor bazuar në fakte. Por në të njëjtën kohë rikujton se tani qeveria komunale e Prizrenit në përbërjen e saj ka dy drejtorë komunalë me aktakuza për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. Për këtë arsye rikujton zotimin e kryetarit të komunës për qeverisje me drejtorë pa aktakuza. Çdo ndryshim i këtij qëndrimi përbën shkelje të drejtpërdrejtë të besimit qytetar, dëmton transparencën institucionale dhe e bën të pakuptimtë luftën ndaj korrupsionit në nivel lokal. Për këtë arsye, EC-i kërkon që kryetari i komunës të veprojë në përputhje me zotimet publike dhe të shkarkojë drejtorët me aktakuza, duke treguar se etika dhe integriteti janë vlera që zbatohen në praktikë, jo vetëm në fushatë; dhe në këtë mënyrë të mundësohet që proceset pranë organeve të drejtësisë të zhvillohen në mënyrë të drejtë dhe transparente, pa ndikime politike apo institucionale”, ka potencuar tutje “EC Ma Ndryshe” në reagim.