30 persona janë lënduar pasi një autobus nga Kosova që po transportonte udhëtarë drejt Mynihut është aksidentuar me një kamion në Gjermani.
Siç raportojnë mediat gjermane, aksidenti ka ndodhur gjatë natës derisa në autobus ishin 50 pasagjerë. Dy prej të lënduarve raportohet se janë në gjendje të rëndë.
Rosenheim 24 raporton se autostrada u mbyll plotësisht në drejtim të Mynihut për rreth dy orë.
Kamioni, i drejtuar nga një polak 46-vjeçar, që po barte perime po udhëtonte drejt Mynihut gjithashtu.
“Autobusi, që transportonte pasagjerë nga Kosova, u përplas me pjesën e pasme të rimorkios pavarësisht manovrave të shmangies. Pjesa e përparme e autobusit u ngjit në kamion dhe pësoi dëme të mëdha. Rimorkioja u dëmtua gjithashtu rëndë”, raporton media gjermane.
Sipas policisë, 30 persona u plagosën në aksident. Dy pasagjerë u shtruan në spital dhe katër të tjerë u transferuan në klinika për vlerësim të mëtejshëm.