Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren ka reaguar pas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në këtë komunë, ndaj zyrtarëve komunalë.
Në lidhje me aktakuzën e cila është ngritur pasi që zyrtarët në fjalë kanë lejuar rrënimin e një objekti të mbrojtur nga ligji dhe njëkohësisht kanë dhënë leje për ndërtimin e një kompleksi banesor në të njëjtin vend, sipas degës së LDK-së në Prizren përgjegjësia nuk i takon vetëm zyrtarëve ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë por dhe mbi udhëheqjen komunale e kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj.
Tutje në këtë reagim thuhet se nga dega e LDK-së në Prizren ky akt është një goditje e rëndë ndaj identitetit historik dhe kulturor të qytetit, e po ashtu kërkohet që ky rast të trajtohet me transparencë nga organet e drejtësisë.
Reagimi i plotë:
Qeveri dhe qeverisje e demoluar.
Skandal pas skandali, aktakuzë pas aktakuze!
Zero përgjegjësi politike!
Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Prizren, reagon fuqishëm pas publikimit të lajmit nga Prokuroria Themelore në Prizren për ngritjen e aktakuzës ndaj drejtorit të Drejtorisë për Urbanizëm dhe një zyrtareje tjetër të kësaj drejtorie, për shkak të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar në rastin e rrënimit të objektit të trashëgimisë kulturore “Saraji i vjetër”.
Sipas aktakuzës, këta zyrtarë duke shpërdoruar detyrën e tyre zyrtare, kanë lejuar dhe mundësuar rrënimin e një objekti të mbrojtur nga ligji dhe kanë dhënë leje ndërtimore për ngritjen e një kompleksi banesor mbi gërmadhat e tij. Kjo ka sjellë si pasojë një dëm të pariparueshëm ndaj trashëgimisë kulturore të qytetit të Prizrenit, i vlerësuar në mbi 15 milionë euro.
Përgjegjësia për këtë skandal sikurse edhe për skandalet tjera, nuk bie vetëm mbi zyrtarët ndaj të cilëve janë ngritur aktakuzat, por mbi tërë udhëheqjen komunale dhe para së gjithash mbi kryetarin Shaqir Totaj, i cili ka dështuar ta mbrojë trashëgiminë kulturore të qytetit dhe ka lejuar shkatërrimin e saj në shërbim të interesave private. Një kryetar komune që lejon dhe hesht para shkatërrimit të pasurisë historike dhe shpirtërore të qytetit, nuk mund të justifikohet dhe as të fshihet pas zyrtarëve të tij.
LDK në Prizren e konsideron këtë akt një goditje të rëndë ndaj identitetit historik dhe kulturor të qytetit tonë, por edhe një dëshmi të qartë të mënyrës së papërgjegjshme, klienteliste dhe të dëmshme të qeverisjes së Shaqir Totajt.
Ne kërkojmë nga organet e drejtësisë që ta trajtojnë këtë rast me prioritet dhe transparencë të plotë, duke sjellë para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë dëm të madh për qytetin tonë, pavarësisht pozitës që mbajnë.
Trashëgimia e Prizrenit nuk është pronë e individëve apo e pushtetarëve të radhës, por është pasuri e të gjitha brezave. Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e saj dhe në ofrimin e një qeverisjeje të ndershme, ligjore dhe në shërbim të qytetarëve.