Home LAJME Publikohet aktgjykimi i plotë i Kushtetueses për rastin e Kuvendit

Publikohet aktgjykimi i plotë i Kushtetueses për rastin e Kuvendit

0
Publikohet aktgjykimi i plotë i Kushtetueses për rastin e Kuvendit

Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin e plotë për rastin e Kuvendit të Kosovës.

Aktgjykimin e plotë mund ta gjeni KËTU.

Me publikimin e këtij vendimi rrjedh edhe afati 30-ditor i përcaktuar nga Kushtetuesja për deputetët dhe kësisoj këta të fundit nga sot (18.09.2025) mund të mblidhen për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese: Avni Dehari tejkaloi kompetencat formale dhe solemne të rendit të ditës me veprimet e përsëritura për mbajtur seancën konstituive

Gjykata Kushtetuese më pas ka deklaruar se ka konstatuar se në seancën pas aktgjykimit të 26 qershorit e deri në marrjen e kërkesave të reja, Kryesuesi ka përsëritur kërkesën për të propozuar grupet parlamentare nga një anëtar për Komisionin për votim të fshehtë por që nuk është arritur themelimi i atij asnjëherë.

“Gjykata rikujton që në Aktgjykimin KO124/25 ka konstatuar se Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk e përcakton mënyrën e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. Megjithatë në këtë drejtim, Gjykata ka konstatuar se “[…] kërkohet bashkëpunim në mirëbesim nga deputetët e zgjedhur për të gjetur kompromisin apo konsensusin e domosdoshëm për të gjitha çështjet që dalin apo mund të dalin duke përfshirë zgjedhjen e kandidatit/es për Kryetar/e të Kuvendit, apo mënyrën e votimit, gjatë formimit të organeve kushtetuese pas zgjedhjeve të lira, por gjithmonë brenda kërkesave dhe kufijve të përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Kuvendit” – thuhet tutje në aktgjykimin e plotë.

Kështu, Gjykata thotë se mungesa e konsensusit të deputetëve për të vazhduar me ndryshim të votimit është treguar se procesi për konstituimin e Kuvendit nuk mund të mbetet i varur nga mbledhja fizike e deputetëve çdo 48 orë.

Po ashtu, Gjykata deklaron se e drejta e deputetit më të vjetër në moshë për të drejtuar punimet e seancës konstituive duhet të interpretohet në përputhje me dispozitat përkatëse të Kushtetutës dhe në funksion të përmbushjes së qëllimit kushtetues të konstituimit të Kuvendit.

“Gjykata vlerëson që veprimet e përsëritura të Kryesuesit për të zhvilluar dhe bashkërenduar mbajtjen e Seancës Konstituive në përputhje me Aktgjykimin e Gjykatës në rastin KO124/25, përbëjnë tejkalim të kompetencave formale dhe solemne të ndërlidhura me rendin e ditës së Seancës Konstituive, e cila njëherësh ka pasur për pasojë moskonstituimin e Kuvendit” – thuhet tutje në aktgjykim.

Për Kryesuesin e seancës konstituive, Gjykata thekson se duhet ta udhëheq atë në fryme të mirëbesimit, bashkëpunimit dhe bashkërendimit konstruktiv me të gjithë deputetët, drejtë përfundimit të seancës me sukses, pra zgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarevë.

“Përfundimisht, Gjykata konstaton që (i) deputetët e zgjedhur të Kuvendit nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e Gjykatës në rastin KO124/25 pas përfundimit të afatit 30 (tridhjetë) ditor; (ii) veprimet e Kryesuesit të Seancës Konstituive nuk janë në pajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116 të Kushtetutës; dhe (iii) të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 duhet të shpallen të pavlefshme” – thuhet më pas në aktgjykim.

Gjykata ka vlerësuar se kryesuesi i seancës konstituive duhet të vazhdoj me pikat 3 dhe 4 të rendit të ditës, pra zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarëve, dhe në mungesë të konsensusit për votim të mbyllur, procedura duhet të vazhdoj me votim të hapur.

Gjyqtari Llaban kishte kërkuar përjashtimin e tij nga rastet e seancës konstituive

Në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se më 7 gusht 2025, gjyqtari Radomir Llaban kërkoi përjashtimin e tij nga vendimmarrja nga rastet KO193/25 dhe KO196/25 si dhe KO215/25, që janë kërkesat e dërguara ndarasi nga PDK-ja, LDK-ja dhe presidentja Vjosa Osmani në lidhje me seancën konsituive.

Mirëpo, sipas aktgjykimit, të njëjtën ditë, Gjykata njëzëri, refuzoi kërkesën për përjashtim të gjyqtarit Radomir Llaban.

Llaban kishte kërkuar vetëpërjashtim nga ky rast dy ditë pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte tërhequr kërkesën që ia kishte parashtruar Gjykatës Kushtetuese më 22.07.2025, në lidhje me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pasi sipas saj, gjyqtar raportues i lëndës është caktuar Radomir Llaban, i cili sipas saj, ka veprimtari që paraqet rrezik për rendin kushtetues në Kosovë.

“Ju njoftoj se sot në përputhje me Ligjin per Gjykatën Kushtetuese, kam tërhequr kërkesën të paraqitur më 22 korrik 2025. Këtë e kam bërë si reagim të menjëhershëm ndaj informatës tashmë të konfirmuar se si gjyqtar raportues në këtë kërkesë është caktuar gjyqtari Radomir Llaban, për vepritmarinë e rrezikshme të të cilit në vitet 2018, 2021, 2024 institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione të qarta dhe zyrtare” – ka thënë Osmani më 05.08.2025

Osmani nuk ka dhënë detaje konkrete për veprimet e pretenduara të gjyqtarit Llaban, por ka thënë se informatat për veprimtarinë e tij janë dorëzuar në vitin 2018, 2021 dhe 2024, nga udhëheqës të ndryshëm të institucioneve të sigurisë në Kosovë.
Ndërsa, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media kishte pretenduar se se bazuar në informatat e institucioneve të sigurisë, gjyqtari i

Gjykatës Kushtetuese, Radomis Llaban është bashkëpunëtor i BIA-s serbe dhe i afërt me Milan Radoiçiqin.

Haxhiu ka thënë se Llaban ka qenë edhe i përfshirë në planin e Serbisë për ndërhyrje në zgjedhje në Kosovë.

“Llaban ka raporte shumë të afërta me Milan Radoiçiqin, pra kryeterroristin e rastit në Banjska, ku u vra Afrim Bunjaku. Në saje të këtyre raporteve të hershme, Llaban ka përfituar si prona të paluajtshme ashtu edhe punësimin e familjarëve të tij” – ka thënë Haxhiu.

Lajmi në plotësim…

Gjykata Kushtetuese, më 08.08.2025, mori vendim që deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kryetarin e institucionit ligjvënës përmes votimit të hapur brenda 30 ditëve pas hyrjes në fuqi të aktgjykimit të ri.

Kushtetuese gjithashtu mori vendim që seancat nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 të shpallen të pavlefshme.

Në vendimin e saj të bërë publik më 8 gusht, Gjykata tha se deputetët e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, dhe rrjedhimisht të seancat e mbajtura pas kësaj date janë pavlefshme.

Gjykata Kushtetuese në pikën 114 të aktgjykimit të plotë ka theksuar se rendi i ditës i seancës konstituive që caktohet nga kryetari i legjislaturës paraprake së bashku me kryetarët e subjekteve politike, përfaqëson përmbajtjen e vetme të seancës konstituive.

“Në lidhje me këtë, Gjykata vë në dukje paragrafin 4 të nenit 8 të Rregullores së Kuvendit i cili përcakton që: ‘Rendi i ditës së mbledhjes konstituive të legjislaturës përmban: 4.1 Formimin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve; 4.2 Betimin e deputetëve; 4.3 Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit; dhe 4.4 Zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit’ (shih, paragrafin 153 të Aktgjykimit KO124/25). Ky rend i ditës përfaqëson përmbajtjen e vetme të Seancës Konstituive dhe duhet të respektohet me përpikëri nga Kryesuesi i Seancës Konstituive, pa devijime dhe pa hapësirë për ndërhyrje procedurale që bien ndesh me rregullimin kushtetues të konstituimit të Kuvendit” – thuhet në aktgjykimin e plotë./Kallxo.com

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here