Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka bërë thirrje që pavarësia dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese në Kosovë të respektohen.
“Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka procedura të përcaktuara mirë për shqyrtimet dhe vendimet e saj. Aftësia e Gjykatës për të funksionuar në mënyrë të pavarur është jetike për demokracinë e Kosovës. Kjo duhet të respektohet dhe promovohet nga të gjitha palët dhe vendimet e Gjykatës të respektohen dhe zbatohen”, thuhet në një reagim të publikuar nga kjo ambasadë në Facebook të enjten.
Më 5 gusht, presidentja Vjosa Osmani përmes një konference për media pati njoftuar se ka tërhequr kërkesën për seancën konstituive nga Gjykata Kushtetuese pasi gjyqtar raportues për këtë çështje ishte caktuar serbi Radomir Laban. Osmani bëri të ditur se Labani ishte konsideruar si person i rrezikshëm për sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues sipas raporteve të institucioneve të sigurisë të viteve 2018, 2021 dhe 2024.