Sot u bënë plot 10 vjet nga votimi në Kuvendin e Kosovës, i cili i hapi rrugë themelimit të Gjykatës Speciale. 82 nga 120 deputetë, pikërisht më 3 gusht të vitit 2015, votuan për ndryshimin e amendamentit kushtetues që mundësoi krijimin e kësaj gjykate, ndërkohë që 5 deputetë ishin kundër dhe një nga ta abstenoi.
Kjo shumicë votuese i hapi rrugë qeverisë që udhëhiqej nga Isa Mustafa, të dërgonte dy projektligje të tjera që lidheshin me funksionalizimin e Dhomave të Specializuara, me seli në Hagë.
Gjykata Speciale për krimet e pretenduara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është themeluar pas një procesi të gjatë politik dhe diplomatik që nisi me një raport të kontestuar ndërkombëtarisht. Në vitin 2010, anëtari i Këshillit të Evropës, senatori zviceran Dick Marty, publikoi një raport ku pretendonte se gjatë dhe pas luftës në Kosovë, pjesëtarë të UÇK-së ishin përfshirë në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, përfshirë rrëmbime, zhdukje dhe trafikim organesh.
Ky raport, ndonëse pa ofruar prova konkrete për disa nga akuzat më të rënda, ngjalli reagime të ashpra dhe tronditi opinionin ndërkombëtar. Pas tij, Kuvendi i Kosovës më 3 gusht të vitit 2015 votoi me shumicë të thjeshtë themelimin e Dhomave të Specializuara, të njohura si “Gjykata Speciale”.
Ky proces erdhi pas presionit të madh ndërkombëtar, veçanërisht nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, si përgjigje ndaj raportit të Dick Martyt të vitit 2010 dhe hetimeve të mëvonshme nga Task Forca Hetuese Speciale (SITF).
Gjykata, edhe pse ligjërisht pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, funksionon jashtë vendit, në Hagë, me staf ndërkombëtar dhe pa mbikëqyrje të institucioneve vendore. Financimi dhe përzgjedhja e gjyqtarëve bëhet nga Bashkimi Evropian, në bazë të një marrëveshjeje me Këshillin e Evropës.
Nga një raport i kontestuar, në një gjykatë ndërkombëtare, kështu nisi historia e Gjykatës Speciale, e cila sot vazhdon të gjykojë figura kyçe të luftës së UÇK-së, mes debatesh të mëdha për drejtësinë dhe të vërtetën historike.
Megjithatë shumë organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe media kanë shprehur skepticizëm për Raportin e Dick Martyt dhe mungesën e provave konkrete në lidhje me trafikimin e organeve. Ndërkohë Prokuroria e Hagës deri më tani nuk ka paraqitur aktakuza konkrete për trafikim organesh./RTK/